TIRANË

Pedagogia e njohur e gazetarisë Jonila Godole thotë se ka shpresë se coronavirusi mund të mbahet nën kontroll në javët e muajt në vijim kurse virusi i komunizmit nuk del më. Duke marrë shkas nga një lajm se një statuje e Leninit do të vendoset në qytetin gjerman të Gelsenkirchen, Godole shkruan se edhe pse janë evidentuar mbi 100 milionë viktima të komunizmit si ideologji e instaluar në sistem politik dhe aktive për rreth 70 vjet deri me rënien e Murit të Berlinit më 1989, – perëndimi ende vazhdon të hiqet naiv dhe të mbyllë sytë para pasojave që sjell mbështetja e kësaj ideologjie. Shqipëria thotë ajo është shembulli më i mirë për rrënimin deri në palcë të ekonomisë, të sistemit politik dhe të ndërgjegjes qytetare gjatë regjimit komunist.

“Corona-Virus po marshon me hapa galopantë, por prapë ka shpresë që mund të mbahet nën kontroll në javët e muajt në vijim.

Kurse virusi i komunizmit ka gati një shekull që ka hyrë dhe nuk del më. Dëshmi e gjallë e kësaj është ky lajm më se i çuditshëm që vjen nga Gjermania.

Një statuje e Leninit do të vendoset në qytetin Gelsenkirchen më 22 prill me rastin e përvjetorit të ditëlindjes nga MLPD (partia marksiste-leniniste gjermane). Autoritetet lokale e kanë kritikuar dhe kundërshtuar këtë projekt duke kujtuar rolin e Leninit si përfaqësues i dhunës, terrorit dhe vuajtjeve njerëzore që bie krejtësisht ndesh me rendin kushtetues demokratik në Gjermani.

Kryetarja e partisë MLPD e quajti një fitore historike vendosjen e statujës së Leninit në një qytet punëtorësh.

Pyetja që shtrohet është si do reagojnë qytetarët e tjerë? A do protestojnë qytetarët gjermane për rehabilitimin në vende publike të figurave të përfshira në krime drejt ndaj njerëzimit?

E majta dhe ekstremi i majtë (komunist) vazhdon të jetë në Gjermani i fortë, jo vetëm përmes partisë Die Linke (pasuesja e partisë komuniste në Gjermaninë Lindore) në Bundestag, por edhe përmes ideologjisë që ka pushtuar qysh në vitet 1960 mendimin publik, botën akademike dhe universitare dhe mediat. Edhe pse janë evidentuar mbi 100 milionë viktima të komunizmit si ideologji e instaluar në sistem politik dhe aktive për rreth 70 vjet deri me rënien e Murit të Berlinit më 1989, – perëndimi ende vazhdon të hiqet naiv dhe të mbyllë sytë para pasojave që sjell mbështetja e kësaj ideologjie. Shqipëria është shembulli më i mirë për rrënimin deri në palcë të ekonomisë, të sistemit politik dhe të ndërgjegjes qytetare gjatë regjimit komunist”, shkruan Godole.

Godole
Godole

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb