Elvis Hoxha, pedagog filozofie i ftuar në “Dritare me Rudinën” iu përgjigj në këtë mënyrë, një studenti të arkitekturës, nga ata që ideuan protestën e studentëve, ndërsa ai u shpreh se duheshin plotësuar shpejt kërkesat, pasi duhej të kthehej në Universitet të jepte provimet.
“Padiskutim do te hapet Universiteti, sepse nuk është krijim i Ramës, është krijim historik. Ka 900 vjet që ekziston Universiteti, as ne nuk e kemi shpikur dhe as ne nuk do e fshijmë. Por mos flisni kështu. Mos e stepni protestën.
Protesta duhet të bëhet shume e gjatë, sepse kur u ngritën gjithë ata njerëz, studentë dhe pedagogë dhe i thoshin nuk funksionon ligji i arsimit, dhe Rama i la në shesh, nuk ua vari fare, këta njerëz ndenjën dhe pritën Ramën.
Tani, është mirë të presë Rama këtë protestë, të kuptojë që mund të presë një ditë një kryeministër, dhe pastaj të thotë; “Shpejt më jepni grupin negociator. Shpejt plotësoni disa kërkesa”. Jo, jo, rrini njëherë në pritje. Kështu mësohet demokracia, dhe kështu mund të mësohen ata që do vijnë pas Ramës, mos të tallen më.
Ky, dëshpërim poshtë dhe cinizëm sipër, u bë rrëmujë e dhimbshme e shqiptarëve.
Është mirë që të presë ca kohë Rama.
Lëreni të bëjë monolog, dhe mos thoni; “Kur do të mbarojë protesta, se unë duhet të kthehem në mësim?”
Sepse ai që do të kthehet në mësim e ka hallin të ta japë dhe provimin shpejt. Sepse do të thonë; ‘do ta japësh shpejt, ndryshe do paguash 30 mijë lekë’.
Unë kam ndenjur me vite në universitet. Thosha, do te jap këtë lëndë tani, sepse do lexoj kaq libra për këtë lëndë, ndërsa këtë do ta lë.
Nuk më thoshte njeri jepe me vrap provimin. Studenti duhet të kuptojë që dija është e nevojshme kur ti ndërton shoqëri.
Por , meqë kemi parë që fëmijët parlamentarëve tanë nuk kanë lexuar, libër, kurrë në jetën e tyre, na kanë krijuar modelin që mund të dish sa për të dhunuar me pushtet.
Duhet t’i ikim dinakërisë, dhe të shkojmë te inteligjenca e imagjinata. Për këtë duhet një dije botërore që ekziston. Universitetet tona, sot, janë ende pa horizont botëror. A mund t’i bëjmë këto? Kjo nuk bëhet duke vajtur vrap në fakultet, duke dhënë provime. Ajo është orë biologjike, nuk është orë sociologjike, as filozofike, as shkencore.
Protesta duhet të zgjasë sa ta krijojë evenimentin dhe kohësinë e vetë. Urgjencën duhet ta heqim qafe, sepse një popull që vrapon përplaset për muri, dhe ngelet aty ku është. A ka mundësi ta jetojmë një herë luksin e protestës? Është kohë që nuk të ta sjell më rasti.