TIRANË

Pedagogu Romeo Hanxhari i ftuar në rubrikën “opinion” në “News 24” ka folur për protestën e studentëve, të cilët kërkojnë plotësimin e 8 pikave për afro dy javë.

Ai tha se thelbi i kësaj proteste është guximi i të rinjve shqiptarë, të cilët u përballën me të gjithë aktorët që kanë pjesë nga fajet e të gjithë sistemit arsimor. Pedagogu shtoi mes tjerash se kjo protestë e studentëve është pothuajse e njëjtë me lëvizjen e studentëve të 28 viteve më parë.

“Guximi me të cilin këta studentë janë përballur me të gjithë aktorët që me të drejtë mendonin që nuk kishin gjetur zgjidhjen e duhur. Thelbi i kësaj ngjarjeje është guximi. Këta studentë janë ndërgjegjja e fjetur e shoqërisë shqiptare dhe janë guximi që një pjesë e shoqërisë nuk e ka.

Pavarësisht se janë tkurrur nga ana sasiore, ajo që dhanë ishte nga ana cilësore Ky është guximi për të shkundur shoqërinë shqiptare.  Ky është guximi që një pjesë e shoqërisë nuk e ka. Në një farë mënyrë janë edhe në një nivel të dhjetorit të 1990, por krahasimet gjithmonë çalojnë.”, tha ai.

Duke folur për kërkesat e studentëve, pedagogu është i mendimit se të gjithë pikat e parashtruara  janë të realizueshme. Gjithashtu ai komentoi edhe qëndrimin e Ramës karshi protestës, që sipas tij, do mbahet mend si kryeministri i parë që sfidoi rininë e vendit të vet.

“Brezat përballen me sfidat dhe rëndësi ka vendosmëria dhe qartësia që ajo ka. Këto ingredient kanë qenë prezentë. Kërkesat e studentëve janë të realizueshme, në mendimin tim si pedagog dhe në nivel të vendimmarrjes.

Dhe dëgjova eksponentë të qeverisë po bënin llogaritë.  Studentët janë të çuditur nga reagimet e Ramës, Rama do të mbetet si një kryeministër që ka sfiduar rininë shqiptare”,  tha  mes tjerash ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb