TIRANË

Situata e vështirë e krijuar nga pandemia duket se ndikon emocionalisht edhe tek fëmijët. Mënyra si ne të rriturit sillemi, nuk është gjithmonë më e mira që bëjmë për më të vegjëlit. Ngarkesat emocionale, nervozizmi shpesh shkarkohen me pa të drejtë tek fëmijët.

Nisur nga këto rrethana moderatorja e “Vila24” Androniki Kolka ka patur një bisedë përmes “Skype” me pediatren Lira Gjika. Ajo ngre shqetësimin se prindërit po i anashkalojnë fëmijët, duke zbehur edhe komunikimin me ta, pasi i konsiderojnë “të vegjël” e që nuk kuptojnë. “Në këto 40 vite punë, nuk më ka rezultuar se fëmijët nuk kuptojnë”-shprehet mjekja Gjika e cila ngulmon tek rëndësia që ka komunikimi. “Nëse ne jemi të tensionuar, duhet t’u themi fëmijëvë të na lënë pak sa të qetësohemi dhe pastaj t’u themi se bashkë do jemi më të fortë.” -shton ajo duke vlerësuar praninë e fëmijëve si mundësi për të na bërë më të përgjegjshëm edhe për veten tonë.

Ajo ndalet edhe tek rrëmuja e panevojshme e prindërve në dyert e shkollave kur presin fëmijët, gjë e cila sipas Gjikës u jep fëmijëve mesazhin e kaosit. Më tej u fol edhe për dhunën ndaj të vegjëlve, ku shuplakën e cilëson si një të metë të prindërve e cila përcjell vetëm përçmim tek fëmijët. “Ne akoma i etiketojmë fëmijët si të këqinj. Ndaj është një traditë që nuk duhet ushqyer.”-vëren Gjika duke e mbyllur me mesazhin e krijimit të kominikimit e gjetjen e fjalës së duhur për fëmijët, si më të shtrenjët që kemi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb