Pero Pejiç është kthyer në një nga elementët më të kërkuar të tregut shqiptar, kjo pasi kroati ka treguar se rrit ndjeshëm cilësinë e skuadrave ku ai firmos, për shkak të rendimentit të lartë. 32-vjeçari sezonin e fundit luajti për fanellën e Kukësit, ku arriti të shënojë 31 gola në kampionat, shifra që nuk i kishte arritur askush që prej dyshes Sinani-Fortuzi, ndërsa ndihmoi verilindorët që të arrinin të dytët në kampionat dhe të luanin finalen e Kupës së Shqipërisë. Kroati shtatlartë është për të disatën herë kryegolashënuesi i Kategorisë Superiore, teksa me blerjen e tij, Gjici shpresoi të thyente hegjemoninë e Skënderbeut, pasi Pejiçin e mori pikërisht nga 6 herë kampionët e vendit.
Superliga
Megjithatë, Pero Pejiç kishte vendosur që ta mbyllte aventurën e tij me Kukësin, ndonëse presidenti Saft Gjici e bindi që të luante minimalisht në Kupat e Europës, ndërsa në të vërtetë kërkonte të fitonte kohë për t’i “zhvatur” një tjetër kontratë kroatit. Duke parë gjendjen e nderë mes sulmuesit dhe verilindorëve, Tirana kërkoi të futej në mes për t’i sjellë trajnerit Shkëlqim Muça sulmuesin që ai ëndërronte për të rifituar titullin kampion të superligës. Por duket se kroati nuk është bindur. Situata financiare e Tiranës nuk është e qëndrueshme, ndërsa janë të shumta detyrimet e pashlyera me ish-lojtarë bardheblu.
Izraeli
Një përpjekje për të marrë lojtarin e ka bërë dhe klubi izraelit i Hapoel Ranaanës, skuadër që ka siguruar më parë edhe shërbimet e Elis Bakajt, por duket se klubi nga “Toka e Shenjtë” është stepur përballë kërkesave ekonomike të kroatit. Sipas asaj që u tha në atë periudhë, Pejiç kishte kërkuar 15 mijë euro në muaj, ose 180 mijë euro në vit.
Esteghlali
Por atë që dështoi ta bënte Hapoen Ranaana, e bëri Esteghlali i Teheranit. Lajmin e ka konfirmuar agjencia e lajmeve “Fars”, ndërsa më pas ka qenë vetë klubi iranian që ka publikuar lajmin e mbërritjes së Pejiçit në faqen e tij zyrtare në internet. Esteghlali duket se ka plotësuar oreksin e kroatit, që ka synuar një shumë të madhe si pagë mujore edhe më herët. Esteghlali është skuadra tjetër e madhe e Teheranit, dhe së bashku me Persepolisin, janë dy ekipe që luajnë në stadiumin “Azadi” me një kapacitet prej 95.225 vendesh dhe kanë një histori plot urrejtje mes tyre për shkak se përfaqësojnë klasa të ndryshme shoqërore në Iran.

(m.k/j.s/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: