Brazili pothuajse në çdo Botëror është pretendent për ta fituar, por këtë herë arritja në majën e botës kërkohet më me ngulm për të kompensuar atë humbje 7-1 në gjysmëfinale të 2014 kundër Gjermanisë.

Deri më tani ‘seleçao’ duket se është në rrugën e duhur pasi humbja e fundit daton në 2016. Gjithashtu të gjitha testet miqësore janë kaluar me kujdes, e fundit me Kroacinë pak ditë më parë.

Por nëse për shumë analistë dhe futbolldashës Brazili është pretendeti kryesor, kështu nuk mendon Pele. Legjenda braziliane për ‘Reuters’ ka deklaruar:

“Unë kam besim të madh në aftësitë e Tite. Shqetësimi im është për një gjë: kanë mbetur vetëm pak ditë nga fillimi i Kupës së Botës në Rusi dhe ende nuk shoh një vendosje të drejtë. Individualisht, të gjithë lojtarët janë shumë të mirë, por ata nuk janë akoma një ekip.”

Më pas Pele foli për Neymar. Pavarësisht se ai qëndroi për 3 muaj jashtë fushe Pele mendon se 26-vjeçari tani është më i pjekur dhe mund ta udhëheqë Brazilin.

“Neymar është për mua një nga lojtarët më të mirë në botë. Sot, ai është më i pjekur dhe ka më shumë përvojë, por nuk mund ta fitojë i vetëm Kupën e Botës. Ekipi më i mirë brazilian i të gjitha kohërave ka qenë ai i vitit 1970, me Tostao, Rivelino, Gerson dhe Pele. Të gjithë kishin numrin 10 në ekipet e tyre. Ne kaluam më shumë se gjashtë muaj së bashku në atë Kupë Bote, prandaj funksionoi.”

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: