SKRAPAR- Mijra besimtarë bektashinj janë ngjitur sot në Malin e Tomrrit në kujtim të ngjitjes së Abaz Aliut që e shenjtëroi këtë mal, duke ngritur atje disa tyrbe ku njerëzit falen e luten për më shumë mirësi e begati.

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj i pranishëm në këtë ditë feste vlerësoi lart figurën e Abaz Aliut. “Në lartësinë e këtij mali ne kemi shenjtorin tonë, Abaz Aliun pavarësisht legjendave ai është realitet i burrërisë përballë frikës, i jetës para vdekjen, modeli i burrit dhe trimit që u identifikua deri në fund me emrin e ndërgjegjes”.

Duke u lutur për më shumë begati, mirësi për të gjithë Haxhi Baba Edmond Brahimaj apeloi që shqiptarët të qendrojnë larg së keqes dhe akteve që lindin prej saj. “Apel për mospajtim me të keqen dhe terrorizmin, qofshi të gjithë të bekuar”.

“Uroj që popullit shqiptar zoti i dhëntë dashuri, mirësi, paqe për njëri-tjetrin, Zoti ju bekoftë, qofshi dritë”,- tha ai.

Ndërsa kryebashkiaku i Çorovodës, Nesim Spahiu premtoi rikonstruksionin e rrugës që të sjell në këtë mal dhe afër teqeve. Spahiu tha se kjo ditë duhet të kthehet në një mundësi të mirë për të thithur sa më shumë turistë.

MITI I ABAZ ALIUT
Mitet thonë se Abaz Aliu, nga Arabia, së bashku me vëllanë e tij të vogël, u vendosën në Berat, duke u bërë mbrojtës të nahijes. I vëllai mbronte qytetin e Beratit, ndërsa Abaz Aliu u vendos në Tomor, për të mbrojtur gjithë fiset dhe krahinat e Tomorit. Ditën e 25 gushtit shpirti i tij vjen nga Olimpi dhe kthehet përsëri për të çliruar viset e Beratit nga gjithë të këqijat. Populli ka respekt e nderim hyjnor për dy vëllezërit, sepse betohet “për Baba Tomor”, “për Abaz Ali”. Legjendat e gojëdhënat popullore hedhin dritë mbi frikën, mbi forcën magjike të barnave që përdoreshin për shërimin e sëmundjeve, por shprehin njëkohësisht respekt dhe nderim për Baba Tomor e për Abaz Alinë. Shenjtërimi i Tomorit nuk është rastësi, por është rrjedhojë e bukurive të rralla dhe e madhështisë së tij. Mbi këto bukuri të veçanta të tij u krijuan misteret, miti, legjenda, gojëdhëna. Këtë e vënë re hulumtuesit e ndryshëm. Historiani grek, Straboni, thotë se, “në kohët më të lashta e gjithë zona përreth Tomorit ishte shumë e banuar. Kurse sot, aty popullsia është rralluar, por megjithatë duken disa ndërtesa të rrënuara. Faltorja e Dodonit e cila gjendet “stis propodhes tu vunu Tomar” (gjendet në rrezet e malit Tomorr)… Në veprat e tij Herodoti, shekulli II, era jonë, e vizitoi Dodonën, qendrën e pellazgëve. Eduard Lear i ardhur në Berat, 155 vjet më parë, kur pa malin e Tomorit u shpreh se, “Tomori është mal mbretëror, ky mal është si një Sokrat madhështor”. Ky Olimp i shqiptarëve, i cili përmendet në “Iliadë” nga Homeri tetë shekuj Para Krishtit, me emrin Tomaros, i tillë ngelet edhe sot.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb