BERAT – Mijëra pelegrinë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, dhe gjithë bota do të udhëtojnë gjatë këtyre ditëve drejt malit të shenjtë të Tomorrit, ku besimtarët bektashinj do të kremtojnë festën e tyre të përvitshme.

Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve mësohet se ka hapur dyert e Teqesë së Kulmakut, ku përqëndrohen të gjitha rritet dhe faljet e festës, ndërkohë që kulmi parashikohet të jetë data 22, ku regjistrohet numri më i madh i pelegrinëve.

Nga ana tjetër për të shmangur numrin e aksidenteve, por edhe për të parandaluar ngjarjet kriminale, Drejtoria vendore e Policisë Berat në bashkëpunim me komisariatet Kuçovë, Skrapar, Ura Vajgurore do të zbatojë një plan të detajuar masash.

Dashamir Bendaj, Shefi i Rendit në Drejtorinë e Policisë së qarkut Berat, bëri me dije se më i përqendruar shërbimi me uniforma blu do të jetë përgjatë akseve rrugore Berat -Poliçan- Pronovik-Novaj- Teqe, Poliçan -Çorovodë, Çorovodë- Gjerbës – Teqe e Kulmakut, si dhe në territorin ku zhvillohet aktiviteti i pelegrinazhit.

Bendaj u shpreh gjithashtu se do të ndalohet ngjitja në mal e mjeteve të transportit publik si (autobusa dhe mikrobusa), pasi janë burim aksidentesh, ndërkohë që konfirmoi se uniformat blu do të zbatojnë ligjin për të gjitha rastet e shkeljes së rregullave të qarkullimit, veçanërisht në konsumimin e alkoolit të drejtuesve të mjeteve.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb