Manuel Pelegrini, trajner i Mançester Sitit dhe trajner i Real Madridit në sezonin 2009-2010, ka lëshuar një intervistë për gazetën spanjolle “El Mundo”, ku ndër të tjera ka folur edhe për vitin e tij në Madrid.

“Kur drejton Realin, duhet të jesh i aftë të pranosh që nuk është vetëm një klub sportiv, por edhe shumë politik. Për mua, te Reali futin hundët shumë persona që nuk kanë njohuritë e duhura për futbollin. Nëse lejohen njerëz të tillë të ndërhyjnë, nëse dorëzohesh ndaj kritikave që vijnë nga jashtë, të orientuara nga ana politike apo interesat personale, atëherë nuk je gati për të drejtuar këtë skuadër”. Pelegrini zbulon edhe mënyrën si u largua nga Madridi: “E dija shumë mirë që në gusht do të pushohesha nga puna, sepse Florentino Perez i kishte thënë presidentit të Vijarealit dhe ky i fundit më tha mua”.

Të mërkurën Pelegrini kthehet në Madrid duke drejtuar Mançester Sitin: “Nuk do të shkojmë në Santiago Bernabeu për të ruajtur barazimin pa gola, do të luajmë në sulm, për të shënuar, sepse barazimi me gola na kualifikon”. Një batutë edhe për Kristiano Ronaldon: “Është një futbollist që ka bërë diferencën gjatë viteve të fundit. Unë pata fatin e keq që e drejtova Realin në të vetmin rast kur Kristiano mungoi dy muaj për dëmtim”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: