Nga: Darina Tanushi*

TIRANE- Zv/kryeministri Niko Peleshi akuzoi dje ish-kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, për dhënien e lejeve abuzive. Në një prononcim për mediat, nga Korça ku ishte i pranishëm, Peleshi mbështet kryebashkiakun e ri të Tiranës, Erion Veliaj për pezullim të lejeve të ndërtimit në kryeqytet. “Lejet e ndërtimit, në veçanti kohët e fundit, kanë qenë abuzive dhe klienteliste. Unë e kam ndjekur kryetarin e Bashkisë së Tiranës në prononcim e vet, është e drejta e tij, pra është vullneti politik, i kryetarit të bashkisë për t’i propozuar këshillit bashkiak pezullimin e ekzekutimit të planit rregullues të Tiranës. Të gjithë e dimë sesi është hartuar plani rregullues i Tiranës, sesa klientelist ka qenë ai plan, sesa të tmerrshme kanë qenë lejet e dhëna me shpejtësi, sidomos në muajt e fundit të qeverisjes”, – tha Peleshi.

Gjatë fushatës, kryebashkiaku aktual, Erion Veliaj, premtoi se do të bënte auditin e të gjitha lejeve të ndërtimit të dhëna nga paraardhësi i tij. Prokuroria e Tiranës bëri të ditur të martën se ka nisur hetimin për lejet e ndërtimit të dhëna nga ish­kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Organi i akuzës ka nisur verifikimin e të gjitha dokumentacioneve për lejet e dhëna nga Basha gjatë periudhës qershor 2013-korrik 2014. Ky hetim ka nisur pas kallëzimit të bërë nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit. Mësohet se grupi hetimor ka depozituar në Bashkinë e Tiranës kërkesën për hetimin e lejeve të ndërtimit, në të cilën prokuroria thekson se është duke verifikuar shkeljet për mosrespektimin e procedurave për miratimin e planeve të detajuara vendore në 129 raste. Pak ditë më parë, sapo mori detyrën e kryebashkiakut, Erion Veliaj nënshkroi një marrëveshje me ministren e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, në bazë të së cilës do të hartohet një plan i qëndrueshëm dhe që i përgjigjet këtij territori të ri që ka Tirana pas zgjedhjeve. Veliaj ka paralajmëruar se Inspektorati Ndërtimor dhe Policia Bashkiake do të bëjnë një verifikim të të gjitha lejeve të ndërtimit të dhëna deri më tani nga bashkia e mëparshme, për të parë ligjshmërinë e tyre.

26 bashki
Ndërkohë, në tri qytetet që janë qendra historike, Krujë, Berat dhe Gjirokastër do të rishikohen të gjitha lejet e ndërtimit si dhe do të ketë një periudhë ngrirje për lejet e reja. Këtë e deklaroi po dje, zv/kryeministri Niko Peleshi. Sipas tij, 14 bashki në të cilat nuk janë konstatuar abuzime, do të vijojnë të japin leje deri në shtator. Ndërsa për 26 të tjera do të ketë pezullim deri në një fazë të dytë. “Kufizim tjetër është Berati, Gjirokastra dhe Kruja, tri qytete të cilat janë dëmtuar së shumti vitet e fundit dhe për të cilat vazhdon si të thuash pezullimi i veprimtarisë së lejeve të ndërtimit deri sa të mirëstudiohet edhe në kufijtë e bashkive të reja. Pra, deri në fund të janarit me një proces tashmë të filluar me mbështetjen e qeverisë shqiptare, 26 bashkitë e para kryesore do të kenë plane të përgjithshme vendore, çka do të thotë se veprimtaria zhvillimore ndërtimore në këto 26 bashki nga janari e tutje do të jetë totalisht e pakufizuar”, – u shpreh zv/kryeministri Niko Peleshi.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: