TIRANË- Në një konferencë rajonale për ALUIZN-in merrnin pjesë edhe Zv/kryeministri Niko Peleshi dhe ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni.

Gjatë fjalës së tij, Peleshi tha se kemi bërë 21 mijë legalizime, ndërsa shtoi se legalizimet i japin fund ndërtimeve pa leje. Me këtë mënyrë sipas tij, mbrohet territori.

“Legalizimi është fundi i ndërtimeve pa leje, nga ana tjetër i hapet rruga zhvillimit urban”, shtoi më tej Peleshi.

 

Nga ana e saj, ministrja Eglantina Gjermeni u shpreh se procesi i legalizimit është mjaft kompleks dhe ambicioz. “Shkak për uzurpim, – sipas saj, – është bërë mungesa e planeve vendore”. Ministrja më tej shtoi se 1/3 e Shqipërisë është informale.

 

“Shqipëria, në 24 vitet e fundit, ashtu si dhe shumë vende në zhvillim, është prekur nga migrimi i brendshëm, që ka rezultuar në një transformim të zhvillimit të zonave urbane dhe rurale.

Mungesa e planeve vendore, mosfunksionimi i strukturave dhe institucioneve publike ka krijuar një precedent të dhimbshëm në vend, me uzurpimin e hapësirave publike dhe krijimin e lagjeve të reja në mungesë të plotë të infrastrukturës urbane.

Integrimi dhe urbanizimi i zonave informale, është padyshim një ndër çështjet më të prekshme, parë në një këndvështrim social, ekonomik, urban, dhe mjedisor me efekte në zhvillimin e vendit”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: