TIRANE-Zv/kryeministri Niko Peleshi ka marrë sot pjesë në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Mbrojtjes me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të vendit, për dhënien e medaljeve për njerëz që kanë dhënë kontribute në çlirimin e vendit.

Zv/kryeministri, Niko Peleshi, gjatë fjalës së tij, tha se “nderojmë sot ata qytetarë të denjë të këtij vendi, efektivë dhe jo efektivë, të Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura, pasi vepra e tyre ka kaluar pa bujë dhe me gjasë është e panjohur për publikun e gjerë, por jo pak e denjë për respektin dhe mirënjohjen tonë. Ne si shoqëri kemi detyrimin të njohim dhe nderojmë çdo individ i cili me punën dhe sakrificën e tij, apo të saj i shërben kësaj shoqëri. Ndaj këto medalje janë shprehje e mirënjohjes, po aq sa reflektim i detyrimit që kemi që të nderojmë çdokënd që denjësisht i ka shërbyer atdheut të tij, duke kapërcyer sfidat të vështira dhe duke u kthyer në një shembull për të gjithë ne”.

“Të gjithë e dimë rrezikun dhe vështirësitë që është përballur secili prej jush, miqtë dhe kolegët tuaj që kanë humbur jetën, janë prova më e mirë e sakrificës që keni bërë”, tha Peleshi, duke vijuar se “ju sot nderoheni me medaljen e meritës, sigurisht që është një shprehje e mirënjohjes për përkushtimit tuaj të jashtëzakonshëm në kryerjen e detyrës”. “Në fakt, ju keni bërë për këtë vend atë që jo gjithëkush do të ishte në gjendje ta bënte. Ne jemi me fat që kemi mes nesh njerëz si ju, jo vetëm për kontributin që vepra juaj ka dhënë për lirinë mirëqenien dhe sigurinë, por për faktin se ajo sot shërben si model për brezat e rinj. Ju jeni modeli që tregon se asgjë më shumë nuk vlen sesa mirënjohja e vendit për kontributin tënd në të mirë të tij”.

“Vendi ka nevojë për mund dhe përpjekjen e gjithësecilit për realizimin e sfidave të kohës, ashtu siç dhatë në luftën për çlirimin e vendit, ashtu dhe në përpjekjen e përbashkët për integrimin evropian”, ka përfunduar Peleshi.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb