POGRADEC – Zv.Kryeministri Niko Peleshi ka ngushëlluar sot familjen e Monika Abrashit, gruas 38-vjeçare nga Vërdova e Pogradecit që humbi jetën në ujërat e rrëmbyera të lumit që i kalonte pranë shtëpisë.

Prej atje, Peleshi i ka dërguar një mesazh opozitës që të mos “turret” në këto momente fatkeqësie për të futur panik, por të bëjë apel për solidaritet dhe të bashkojë forcën e saj të madhe njerëzore dhe morale për të përballuar këtë fatkeqësi natyrore.

“Unë kam ardhur sëbashku me deputetët e qarkut të Korçës, me kryetarin e komunës dhe Prefektin, për të ndarë dhimbjen me familjen Abrashi këtu në fshatin Vërdovë, pranë Pogradecit, – tha Peleshi për mediat, pasi u nda nga familja Abrashi. – Është një dhimbje që vjen pas një fatkeqësie të ditës së sotme kur përrenjtë përreth Pogradecit u frynë nga reshjet e shumta në mënyrë të pazakontë.

Unë vlerësoj faktin se ka një bashkëpunim jo vetë të të gjithë strukturave shtetërore, por edhe të gjithë popullit, banorëve. Ka xheste bashkëpunimi edhe nga radhët e biznesit, nga organizatat humanitare, nga shoqëria civile, – vërejti ai, – gjë që tregon se ky popull di të reagojë dhe të ndajë dhimbjen, të ngrihet mbi ato që na ndajnë.

Për fat të keq, opozita nuk e ka gjetur këtë force, – theksoi Zv.Kryeministri – dhe unë dëshiroj të shpreh keqardhjen, që ka qënë kaq shumë e gatshme për t’u turrur ku ndodh një fatkeqësi, në vend që të bëjë apel për solidaritet dhe të bashkojë forcën e vet jo të vogël – se është një forcë njerëzore dhe morale e madhe – është turrur për të shfrytëzuar dhe futur panik, gjë që është e vetmja që nuk i duhet kësaj situate.

Natyrisht, – theksoi ai në përfundim, – që duhet që të gjithë sëbashku t’i vëmë gishtin kokës. Sot kemi forcuar bindjen se punën e filluar prej më shumë se një viti për disiplinimin dhe zhvillimin e terrotorit ta vazhdojmë me të njëjtën vendosmëri.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb