TIRANË- Zëvendëskryeministri Niko Peleshi në fjalën e tij në parlament i është drejtuar ish-kryeministrit Sali Berisha. Sipas tij, politika e Berishës është ngatërruar në gjithçka duke penguar shoqërinë në përpjekjet për të formësuar një sistem vlerash që orientohen nga civilizimi europian.

“Unë mendoj se më i madh së çdo gjë tjetër, është dëmi që i është shkaktuar sistemit të vlerave, vlerave qytetare, shtyllës kurrizore të zhvillimit shoqëror. Në këtë çorodi çerek-shekullore në Shqipëri nuk është më e qartë: Ç’është mirë dhe ç’është keq?!”, tha Peleshi, duke iu referuar gjendjes së arsimit para qeverisjes së majtë.

“Është mirë apo është keq për një të ri të investojë për veten në fushën e dijes, shkollimit, aftësimit apo është keq? Sepse modelet e karrierës që politika ndërtoi në vite u treguan të rinjve se mirë është të blesh një diplomë që sistemi ta ofronte me shumicë dhe t’i shërbesh me devotshmëri partisë në pushtet për t’i zgjatur jetën atij sistemi”, tha zëvendëskryeministri.

Peleshi vuri në pikëpyetje mes të mirës dhe së keqes edhe detyrimet që ‘faleshin në këmbim të votës’.
“Është mirë apo është keq, të paguash detyrimet që ke ndaj shtetit? Sepse për 25 vjet ata që nuk paguanin ishin ata që përfitonin në çdo fushatë zgjedhjesh, falje detyrimesh në këmbim të votës për pushtetin ti që paguaje nuk vleje sepse ti mund të votoje për kë të doje, nuk kishe borxhe, ishe i lire. Dhe mesazhi që ti merrje në çdo palë zgjedhjesh ishte: Në qofsh familjar që ke një faturë të energjisë elektrike për të paguar, apo një biznes. Mos u bej budalla! Sa më shumë e respekton shtetin aq më pak do të jesh i vlefshëm për pushtetin. Është mirë apo është keq, të ndërtosh në tokën tende dhe mos zaptosh tokën e tjetrit apo te shtetit? Sepse ti që respektove pronën publike nuk fitove por humbe. U solle sipas disa vlerave që ju besoje dhe nuk i kuptove mesazhet e Kryeministrit të atëhershëm, për energjinë qytetëruese të ndërtimit pa leje dhe pa kriter. Tani të mbetet vetëm t’u thuash fëmijëve të tu të mos bëjnë gabimet që ti bëre. Sepse nuk fitove por humbe. Nuk të llogarit kush, sepse ti je në lirinë tënde dhe nuk ke borxhe për t’u falur apo ndërtim për t’u legalizuar”, theksoi ai.

Sipas Peleshti, politika që Sali Berisha imponoi, të ndot dhe të nxin. “Është mirë apo është keq, të guxosh të merresh me politikë kur e shikon politikën si një mundësi për të realizuar ide dhe projekte që bëjnë më të mirë jetën e të tjerëve?

– sepse politika që Sali Berisha imponoi të ndot dhe të nxin. Besimi ndaj politikës është aq i ulet sa që zor se beson kush në përpjekjen e sinqertë për vepra të mira. Është mirë apo është keq, të guxosh të rritesh në biznesin tënd dhe të punosh si partner me shtetin?

Sepse në përpjekjen për të nxire gjithçka, politika nuk të kursen as ty. Ta përmend emrin si hajdut mu në parlament. Dhe pastaj ti duhet të skuqesh kur të dalësh para fëmijëve të tu, pa mundur t’u shpjegosh kush është mëkati që bëre”, ka vijuar Peleshi.

Ai tha se pikërisht dilema mes çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe është dëmi më i madh që Sali Berisha i ka bërë shoqërisë.

“Nuk ka rëndësi se kush je. Je një qytetar i zakonshëm apo një biznesmen, je i ri apo i moshuar, je burrë apo grua, je student apo punëtor, je politikan në opozitë apo në pushtet, je nëpunës civil apo Ministër, je gjyqtar apo prokuror, je Kryeministër apo President i vendit.  Ti sot e ke të vështirë të dish se ç’është mirë dhe ç’është keq! Ky është për mua dëmi me i madh që Sali Berisha i ka bërë shoqërisë sonë. Sepse nuk mjafton vetëm një qeveri e përgjegjshme dhe e vendosur për të ndryshuar këtë paradigmë, këtë mentalitet që tashmë nuk është vetëm mentalitet politik por edhe shoqëror. Duhet kohë. Unë jam optimist për të ardhmen e këtij vendi sepse pavarësisht çka bëmë keq në 25 vjet, sot jemi në rrugën e reformimit. Kolegët e Kabinetit, kanë të gjithë angazhimin për t’i çuar përpara reformat, pa u tërhequr nga kacavjerrjet e të shkuarës”, përfundoi zëvendëskryeministri Niko Peleshi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: