TIRANE-Zëvendëskryeministri Niko Peleshi ka ftuar sot qytetarët të përdorin Kutinë e Shërbimeve Publike të lançuar në mëngjes nga kryeministri Edi Rama. Menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë Peleshi deklaroi para gazetarëve se kjo kuti është pararendëse e reformës së shërbimeve publike që do aplikohet në të gjitha zyrat.

“Kutia e Shërbimeve publike është një aplikacion që pararend reformën e shërbimeve publike, që do të aplikohet në të gjitha zyrat e shtetit. Kemi nevojë për qytetarë aktivë. Kemi nevojë për të rritur cilësinë e shërbimeve publike. Kjo kuti është një aplikim në faqet FB të ministrive, por edhe dhe të kryeministrit, ku qytetarët do të mund të regjistrojnë ankesat dhe denoncimet e tyre për çdo problem që hasin gjatë marrjes së një shërbimi në zyrat e shtetit. Ju ftojmë të përdorni kutinë, për të rritur presionin pozitiv për përmirësimin e cilësimeve publike”, ka thënë zëvendëskryeministri Peleshi.

Ai u shpreh se vetëm duke bashkëpunuar do të mund të modernizohen dhe rriten cilësisht shërbimet publike. “Ne jemi të vendosur të përmirësojmë cilësinë e shërbimeve publike, por këtë nuk mund ta bëjmë të vetëm. Ndaj ju ftojmë të bashkëpunoni me ne. Ju ftojmë të përdorni këtë instrument të ri, këtë aplikacion të ri, duke zbuluar për mirë apo për keq çdo rast të një reagimi jo të përshtatshëm, të një zyrtari, apo një zyre, apo një institucioni të shtetit. Duke bashkëpunuar, nga njëra anë përmes modernizimit dhe nga ana tjetër përmes presionit që vjen nga ngritja e zëri qytetar, nga qytetarët tanë aktivë, ne do të mund të modernizojmë por dhe të rritim cilësisht shërbimet publike”, u shpreh numri dy i qeverisë.

Ndërkohë më herët, kryeministri Rama publikoi në faqen e tij të Facebook, iniciativën më të re për qytetarët, “Kutinë e Shërbimeve Publike”, që të mund të ngrenë zërin për shërbimet jo cilësore apo të vonuara nga zyrat e administratës.

(DEKLARATA E PLOTË E ZËVENDËSKRYEMINISTRIT NIKO PELESHI)

Duke filluar nga sot, qytetarët shqiptarë do të kenë në dispozicion kutinë e shërbimeve publike, një instrument më tepër për të kontrolluar dhe për ti kërkuar llogari qeverisë dhe çdo institucioni të zyrave të shtetit.
Më konkretisht, kutia e shërbimeve publike është një aplikim në faqet FB të ministrive, por edhe dhe të kryeministrit, ku qytetarët do të mund të regjistrojnë ankesat dhe denoncimet e tyre për çdo problem që hasin gjatë marrjes së një shërbimi në zyrat e shtetit.
Për ne, përmirësimi dhe modernizimi i shërbimeve publike është një prioritet. Ne jemi të vetëdijshëm se zvarritjet, paaftësia dhe korrupsioni që sigurisht nuk janë zhdukur do të mund të luftohen nëpërmjet modernizimit dhe inovacionit të shërbimeve publike.

Kutia e shërbimeve publike është një aplikacion që vetëm pararend reformën e shërbimeve publike që është duke u projektuar dhe do të fillojë të aplikohet dhe të implementohet në të gjithë zyrat e shtetit. Përtej modernizimit, ne kemi gjithashtu nevojë edhe për bashkëpunimin e qytetarëve. Ne kemi nevojë për qytetarë aktivë , kemi nevojë për qytetarë që nuk pajtohen me mentalitetin e vjetruar të zyrave të shtetit në shumë raste.

Ne jemi të vendosur të përmirësojmë cilësinë e shërbimeve publike, por këtë nuk mund ta bëjmë të vetëm. Ndaj ju ftojmë të bashkëpunoni me ne. Ju ftojmë të përdorni këtë instrument të ri, këtë aplikacion të ri, kutinë e shërbimeve publike si një mundësi për të ushtruar presionin e nevojshëm pozitiv, duke rritur transparencën, duke zbuluar për mirë apo për keq çdo rast të një reagimi jo të përshtatshëm, të një zyrtari, apo një zyre, apo një institucioni të shtetit, sepse në këtë mënyrë duke bashkëpunuar, nga njëra anë përmes modernizimit dhe nga ana tjetër përmes presionit që vjen nga ngritja e zëri qytetar, nga qytetarët tanë aktivë, ne do të mund të modernizojmë por dhe të rritim cilësisht shërbimet publike.

Reformat e qeverisë shqiptare natyrisht do të shkojnë paralel me rritjen e etikës së zyrtarëve tanë apo të punonjësve të çdo institucioni, do të shkojnë paralel me rritjen e transparencës, si dhe të cilësisë së ofrimit të një shërbimi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb