Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka pubikuar videomesazhin e mjekut Pëllumb Piperos, i cili ju bën thirrje të gjithë qytetarëve të kenë kujdes në këtë fazë të epidemisë dhe të respektojnë rregullat për t’u mbrojtur nga COVID-19.

Sipas mjekut të njohur infeksionist, virusi është ende prezent dhe mund të infektojë dhe sëmurë, nëse qytetarët nuk zbatojnë këshillat e specialistëve.

Në apelin e tij drejtuar qytetarëve Pipero, shprehet se qytetarët duhet të ruajnë distancimin fizik, higjenën e duarve dhe të vendosin maskë atje ku rekomandohet.

Mesazhi i plotë i Pellumb Piperos:

Tashmë kemi hyrë në një fazë të re të epidemisë, në një fazë ku secili nga ne është i lirë të lëvizë dhe të kryejë aktivitetin normal të jetës. Tashmë më shumë se kurrë është e nevojshme të respektojmë disa rregulla elementare po shumë të rëndësishme për këtë fazë të re të epidemisë në vendin tonë, por edhe të jetës tonë. Këto rregulla dhe kjo mënyrë e re jetese është thjesht dhe vetëm më shumë kujdes, të mirëkuptojmë që virusi është ende midis nesh, ai ende mund të na infektojë, ai ende mund të na sëmurë madje edhe mund të na kërcënojë më shumë se sa kaq. Ndaj ju lutem si specialist, si mjek por edhe si qytetar, më shumë kujdes, ruani distancën fizike, vendosni maskën në mjedise publike, vendosni maskën atje ku nuk mund të ruani distancën, kujdesuni për higjenën e duarve, së bashku do ja dalim deri në fund të kësaj epidemie.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb