Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan do të marrë për shqyrtim brenda së mërkurës versionin e paketës stimuluese prej 1.9 trilionë dollarësh të miratuar nga Senati amerikan, tha kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi të hënën.

Tashmë shumë pranë miratimit të paketës më të madhe të ndihmave kundër varfërisë që në vitet 1960, demokratët synojnë që ligji të hyjë në fuqi brenda kësaj jave, para se të skadojnë disa përfitime papunësie.

Senati miratoi versionin e tij të këtij ligji pas një votimi maratonë të shtunën gjatë natës. Në versionin e tij, Senati eliminoi ose shkurtoi disa programe të versionit të miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve, që parashikonin rritjen në 15 dollarë në orë të pagës minimale dhe zgjatjen e asistencës së papunësisë deri më 29 gusht.

Tani që Senati miratoi variantin e tij, ky projektligj i modifikuar kthehet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe nëse miratohet i dërgohet presidentit për firmë.

Zonja Pelosi tha në komentet për shtyp se momenti kur Dhoma do ta votojë projektligjin “varet nga koha kur e merr dokumentin nga Senati”.

“Mund ta marrim të mërkurën në mëngjes, më e vona,” tha ajo.

Ashtu si në Senat, edhe në Dhomën e Përfaqësueve demokratët gëzojnë një epërsi të ngushtë. Varianti i parë i ligjit u miratua në Dhomën e Përfaqësuesve pa asnjë votë republikane. Dy demokratë të moderuar votuan kundër këtij version. Një prej tyre, ligjvënësi Kurt Schrader nga shteti Oregon, tha të hënën se pas ndryshimeve të realizuara në Senat, ka në plan të votojë pro.

“Vazhdoj të jem i shqetësuar për përmasat e këtij ligji, por besoj se ndryshimet që bëri Senati do të sjellin ndihmat e nevojshme për oregonasit në vështirësi,” shkruante ai në një koment në Facebook.

“Fonde për qeverinë lokale, bizneset e vogla, shkollat, familjet, klinikat shëndetësore si dhe zgjatjen e asistencës së papunësisë,” tha ai për ligjin.

Republikanët, të cilët mbështetën paketën stimuluese në fillimet e pandemisë, kanë kritikuar propozimin e ri si shumë të kushtueshëm.

Të premten, kur po zhvillohej votimi në Senat, ligjvënësja demokrate Bonnie Watson Coleman tha se ndjehej “e revoltuar” nga disa ndryshime që kishte bërë Senati, duke shtuar se nuk ishte e sigurtë nëse mund të votonte pro këtij versioni.Një zëdhënës i ligjvënëses nuk iu përgjigj kërkesës për komente.

Ligjvënësja Pramila Jayapal, kryetare e Grupit Progresist të demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se besonte që anëtarët do të votonin pro projektligjit, të cilin ajo e cilësoi si “fenomenal” duke shtuar se respektonte pjesën më të madhe të përparësive të grupit.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki e vlerësoi projektligjin në një konferencë për shtyp, duke thënë se megjithë disa ndryshime në skaje, “në thelb” mbetej propozimi që kishte paraqitur Presidenti Biden./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb