Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi ka ngritur pikëpyetje nëse Presidenti Trump është në gjendje të përmbushë detyrën. Të enjten ajo njoftoi një masë legjislative që do të krijonte një komision për t’i dhënë mundësi Kongresit të ndërhyjë për të liruar presidentin nga detyrat ekzekutive, bazuar tek Amendamenti i 25-të i Kushtetutës.

Kur mbeten vetëm pak javë deri në ditën e zgjedhjeve të 3 nëntorit, zonja Pelosi tha se presidenti duhet të japë më shumë informacion për gjendjen e tij shëndetësore pas diagnostikimit me COVID-19. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve iu referua atyre që i cilësoi si “komentet e çuditshme” të presidentit në Twitter, kur zoti Trump anuloi bisedimet për paketën e ndihmave. Ajo shtoi se amerikanët kanë të drejtë të dinë datën e saktë kur ai u ekspozua ndaj virusit. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve tha se do të prezantojë të premten projekt-ligjin për të autorizuar krijimin e komisionit rishikues.

Presidenti reagoi menjëherë në Twitter me një koment ku thoshte: “E çmendura Nancy është ajo që duhet vënë nën vëzhgim. Nuk e quajnë të çmendur për kot”.

Pelosi
Pelosi

Kongresi nuk është aktualisht në sesion aktiv legjislativ, prandaj nuk ka gjasa për një rishikim serioz të kësaj mase në organin legjislativ, aq më pak për mbështetjen e propozimit në një votim në Dhomën e Përfaqësuesve apo Senat. Por projekt-ligji u ofron mundësi demokratëve në Kongres të ngrenë pyetje për shëndetin e presidentit, ndërkohë që Shtëpia e Bardhë ka njoftuar për një numër të infektuarish nga radhët e stafit të presidentit, si dhe vizitorë si dhe senatorë të diagnostikuar me COVID-19, pasi kanë qenë në kontakt me presidentin apo kabinetin e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: