Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, sot në Novi Sad është takuar me homologun e tij slloven, Borut Pahor, në kuadër të Forumit të 4-t Rajonal Rinor.

Siç njoftoi kabineti i Pendarovskit, në takim është theksuar se dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera të karakterizuara nga miqësia dhe mirëkuptimi i ndërsjellë, si dhe shkëmbimi i mendimeve për mundësi për promovim të mëtejshëm dhe pasurim të bashkëpunimit në shumë fusha me interes të ndërsjelltë.

“Nuk ka asnjë alternativë për Maqedoninë e Veriut përveç integrimit evropian”, ka thënë Pendarovski.

Ai ka falënderuar Slloveninë për mbështetjen e saj të hapur dhe konstruktive për aspiratat e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO, e cila, siç thuhet, u konfirmua me ratifikimin e protokollit për anëtarësim në NATO, si dhe me mbështetjen e vazhdueshme brenda BE-së.

Ndërkaq, presidenti i Sllovenisë, Pahor, ka riafirmuar zotimet e vendit të tij për fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

“Në këtë drejtim, presidenti Pendarovski shtoi se integrimi i Maqedonisë së Veriut, si dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, në strukturat evropiane, do të jetë një kontribut i madh për stabilizimin e përhershëm të rajonit, si dhe prosperitetin e shoqërive tona”, thuhet në njoftimin e kabinetit të Pendarovskit.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb