TIRANË

Policia e Tiranës ka reaguar pas lajmit për një pengmarrje të dyshuar në një nga zonat më të populluara në kryeqytet atë të “Don Boskos”. Në një njoftim për mediat, disa orë pas lajmit, policia deklaron se nuk ka pengmarrje.

Megjithatë nuk mohohet telefonata në sallën e komandimit në Drejtorinë e Policisë Tiranë dhe më pas ka pasur një reagim të shpejtë të forcave të policisë që kanë nisur hetimet.

Nga to është zbuluar se bëhej fjalë për një konflikt familjar. Dy djemtë kanë marrë jashtë dëshirës babain e tyre të dehur nga një lokal.

Ja sqarimi i Policisë së Tiranës
Në lidhje me një lajm të publikuar në media për një pengmarrje të një personi në “Don Bosko”, ju informojmë se ngjarja është e pavërtetë.
Rreth orës 17:05, në Sallën e Komandimit të DVP Tiranë, ka ardhur një telefonatë nga një qytetar, se në “Don Bosko”, në afërsi të një lokali dyshohet se dy persona kanë marrë me forcë një shtetas dhe janë larguar me një automjet.

Menjëherë pas njoftimit të marrë, shërbimet e Komisariat të Policisë Nr. 3 dhe Sektori i Krimeve të Rënda në DPV Tiranë shkuan në vendin që u dha njoftimi, si dhe forca të tjera të DVP Tiranë, ngritën pika kontrolli në akset rrugore, duke bashkëpunuar me DVP Durrës e Lezhë.

Qytetarit që telefonoi Policinë, pas telefonatës i dilte telefoni i fikur, por falë veprimeve të shpejta u bë e mundur gjetja e tij dhe përcaktimi i saktë i vendit ku pretendohej se kishte ndodhur pengmarrja.

Pas veprimeve të shpejta, këqyrjes së kamerave dhe marrjes së informacioneve mbi identitetin e personave që shfaqeshin në kamera u bë e mundur gjetja e tyre dhe shoqërimi në Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, ku rezultoi se kishim të bënim me një konflikt familjar.

Dy vëllezërit D.M. e B.M., kanë shkuar në lokalin ku ishte babi i tyre shtetasi S.M., për ta marrë në shtëpi, pasi në mënyrë të vazhdueshme abuzonte me pijen alkoolike. Shtetasi S.M., ka dalë nga dera e pasme e lokalit dhe ka tentuar të largohet me vrap, por të dy djemtë e tij e kanë kapur dhe e kanë futur në makinë dhe më pas e kanë çuar në banesë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb