NGA OLA MITRE

TIRANE- Komisioni i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësinë ka miratuar në parim projektligjin “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, qendrës së studimeve albanologjike, akademisë së shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”. Miratimi është bërë vetëm me votat e deputetëve të maxhoranës, ndërkohë që sipas kryetares së komisionit, Albana Vokshi, “opozita është kundër tij pasi reforma e pensioneve në vend që ta rregullojë, e deformon akoma më tej skemën aktuale, duke dekurajuar pagesën e kontribuuesve”.

KONTRIBUTET
Një nga ndryshimet kryesore që parashikon projektligji është rritja e masës së kontributeve, për të përfituar pensionin shtetëror suplementar. Rritja prek vetëm ata persona që punojnë në institucionet publike, ndërkohë që për ata që ushtrojnë profesionin në institucione private nuk do të ketë ndryshim të masës së kontributit. Sipas ligjit të ri, masa e kontributit suplementar që paguhet nga të punësuarit e përfshirë në këtë skemë suplementare do të jetë 5 për qind e pagës referuese të titullit për të punësuarit në sektorin publik, nga 3.5 për qind që është aktualisht. Për të punësuarit në sektorin jopublik kjo masë mbetet 7 për qind.

E DREJTA PËR PËRFITIM
Ligji i ri sjell disa ndryshime edhe për të drejtën e përfitimit të pensionit shtetëror suplementar. Sipas tij, “personit, që kërkon pensionin suplementar, brenda 1 viti nga data që i ka lindur e drejta i jepet ky pension që nga ajo datë”.

Megjithatë, përfitimet e njohura, por të patërhequra, do të paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se tre vjet. Kjo do të thotë se për herë të parë vendoset një limit kohor për tërheqjen e të ardhurave, i cili nëse nuk zbatohet, nënkupton humbjen e tyre. Po ashtu, në ligjin e ri shtohen edhe dy pika të tjera, që lidhen me të drejtën e përfitimit të cilat thonë: “Përfitimet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë, por jo më shumë se për tre vjet. E drejta e organit kompetent për të kërkuar shumat e marra tepër gjatë një viti ushtrohet jo më vonë se tre vjet nga data e marrjes së tyre, por jo më vonë se gjashtë muaj nga data e konstatimit dhe masa e ndalesës për çdo muaj është 20 për qind e këstit mujor të përfitimit”.

Gjithashtu, projektligji saktëson titujt shkencorë, të cilët përfitojnë pension suplementar, duke qenë se në shumë raste janë hasur problematika në zbatimin e tij. Më konkretisht, në ligjin e ri saktësohet se “masa mujore e pensionit suplementar është 1.3 për qind e pagës referuese për çdo periudhë njëvjeçare të ushtrimit të titullit “Profesor”/ “Drejtues kërkimesh” dhe 1.1 për qind e pagës referuese për çdo periudhë njëvjeçare të ushtrimit të titullit “Asistent profesor”/ “Mjeshtër kërkimesh”.

Ndërkohë që, në ligjit aktual thuhet, “masa e pensionit suplementar është 1.3 për qind e pagës referuese për çdo periudhë njëvjeçare të ushtrimit të titullit “profesor” dhe 1.1 për qind e pagës referuese për çdo periudhë njëvjeçare të ushtrimit të titullit “Asistent profesor”. Aktualisht, në skemën suplementare shtetërore për personat me tituj shkencorë janë 595 përfitues dhe 510 kontribuues. Gjithashtu, sipas të dhënave rezulton se janë edhe rreth 400 persona të tjerë me tituj shkencorë, të cilët nuk janë pjesë e skemës.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: