Nga: ERMELINDA HOXHAJ

Hyn në fuqi vendimi i qeverisë për procedurat e pagesës së debisë për 5.425 ish-ushtarakë në pension, të cilëve u është ndalur në mënyrë të padrejtë një pjesë e pensionit nga dhjetori 2010 deri në prill të 2016. Sipas këtij vendimi, shlyerja e pagesave nis në nëntor 2016 dhe do të përfundojë në maj 2017. Sipas vendimit të botuar dje në Fletoren Zyrtare, përcaktohet se: “Shumat e detyrimeve të krijuara nga rillogaritja e përfitimeve suplementare, të paguara, i kthehen çdo kreditori të shpallur, në këste të barabarta, në periudhën nëntor 2016 – maj 2017”. Pra, pagesat që shteti u detyrohet mbi 5 mijë ish-ushtarakëve do të paguhen në 7 këste të barabarta për shtatë muaj. Efektet financiare të këtij vendimi janë në total 369 milionë lekë, ku 180 milionë lekë do jepen për vitin 2016, ndërsa 189 milionë lekë do jepen deri në maj 2017. Përfitimi që do marrin ish-ushtarakët varion nga 25 mijë lekë deri në 400 mijë lekë. Ndërkohë që, burime nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore bëjnë me dije se nxjerrja e të dhënave dhe përllogaritjet e debisë për çdo pensionist janë bërë gati. Po ashtu, ata theksojnë se ky vendim i qeverisë është konkretizimi nga ana financiare i ligjit të miratuar që në prill 2016. Sipas vendimit, përcaktohet se të interesuarit duhet të dorëzojnë pranë ISSH-së “Vërtetim për vjetërsinë në shërbim dhe pagën mesatare neto referuese” brenda datës 31 tetorit 2016, pasi me përfundimin e këtij afati, detyrimet që rrjedhin nga rillogaritja nuk falen.
Përfituesit
Pas shtatë vitesh pritjeje, mbi 5 mijë ushtarakë në pension nuk do të kenë më detyrime ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Veç kësaj, duke filluar nga muaji nëntor 2016 do marrin mbrapsht detyrimet që u kanë mbajtur nga pensioni. Pasi, në bazë të një vendimi të qeverisë “Berisha”, 5.425 ushtarakë në pension janë detyruar t’i kthejnë shtetit 20-25% të pensionit mujor që përfitonin. Vendimi i qeverisë shqiptare i cili do të bëjë të mundur zbatimin e ligjit “Për faljen e detyrimeve që kanë ish-ushtarakët në skemën e pensioneve suplementare” tashmë ka hyrë në fuqi. Në kategoritë përfituese janë 5.425 persona, ku përfshihen ish-ushtarakë të Forcave të Armatosura, punonjës të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, punonjës të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e punonjës të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë. Përfitimi që do marrin këto kategori varion nga 25 mijë lekë deri në 400 mijë lekë. Sipas të dhënave rezulton se 934 persona do marrin 25 mijë lekë, 668 do marrin nga 25 deri në 50 mijë lekë, 862 persona do marrin nga 50 deri në 100 mijë lekë, 609 të tjerë do përfitojnë nga 100 deri në 150 mijë lekë, ndërkohë që shuma më e madhe prej 400 mijë lekësh do përfitohet nga 466 ish-ushtarakë. Pagesat e tyre do të bëhen brenda 7 muajsh, duke u ndarë në këste të barabarta.
VENDIMI
Në vendimin e qeverisë të publikuar dje në Fletoren Zyrtare përcaktohet se, evidentimi i detyrimeve të paguara të bëhet në mënyrë analitike, duke shënuar në “Kartelën financiare për kthimin e detyrimeve të falura me ligjin nr.46/2016”, këstet e detyrimeve të mbajtura, sipas muajve, këstet dhe periudhat e kthimit të shumave kreditore të shpallura, si dhe pagesat faktike, sipas datës së kryerjes së tyre. “Kartela financiare” përcaktohet si dokument financiar i veçantë, me afat ruajtjeje të përhershme dhe nënshkruhet nga hartuesit, punonjësi zbatues dhe punonjësi autorizues i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, të cilët janë përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e saj. Rregullshmëria e shpalljes së shumave kreditore dhe e likuidimit të tyre në favor të përfituesve janë objekt i veçantë auditimi nga auditi i brendshëm i ISSH-së. “Shumat e detyrimeve të krijuara nga rillogaritja e përfitimeve suplementare, të paguara, i kthehen çdo kreditori të shpallur, në këste të barabarta, në periudhën nëntor 2016 – maj 2017”, përcaktohet në vendimin e qeverisë. Po ashtu, në vendimin e miratuar më 12 tetor, përcaktohet se brenda muajit tetor 2016, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dërgon pranë strukturave përkatëse të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme listat emërore të përditësuara të personave, të cilëve duhet t’iu plotësohet dokumentacioni, si dhe, në bashkëpunim me Postën Shqiptare, sh.a., bën njoftimet individuale. Gjithashtu ngarkohen strukturat përgjegjëse të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, brenda muajit tetor 2016, njoftojnë Institutin e Sigurimeve Shoqërore për rastet e personave për të cilët nuk disponojnë dokumente, duke përcaktuar edhe shkakun e mungesës së tyre. Më tej në pikën 6 të këtij vendimi saktësohet se: “Personat e interesuar, që janë përfitues nga sistemi i sigurimeve suplementare dhe strukturat përgjegjëse të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, deri në datën 31.10.2016, paraqesin në Institutin e Sigurimeve Shoqërore modelarin 03: “Vërtetim për vjetërsinë në shërbim dhe pagën mesatare neto referuese”. Pas kësaj date, bazuar në nenin 4, të ligjit nr.46/2016, detyrimet e llogaritura me efekt financiar nga data 1.7.2009 e në vazhdim, nuk falen, ndërkohë që deri në plotësimin e dokumentacionit, përfitimi mujor përllogaritet në nivelin e pensionit minimal në shkallë vendi, sipas përcaktimeve të vendimit nr.77, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.”. Ky vërtetim merret pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme” Për personat e përcaktuar në nenin 4, të ligjit nr.46/2016, përfitimi individual në zbatim të dispozitave të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar me ligjin nr.10367, datë 23.12.2010, “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit nr.5, datë 10.11.2010″, rillogaritet me datë fillimi nga data 1.6.2016, duke mos përllogaritur diferencat që rrjedhin nga rillogaritja sipas dispozitave të sipërshënuara, të cilat i përkasin periudhës 1.7.2009 deri më 1.6.2016.” Sa u përket efekteve financiare të zbatimit të këtij vendimi, janë në total 369 milionë lekë. “Efektet financiare për kthimin e shumave të detyrimeve të paguara nga përfituesit, të cilat përllogariten në shumën 369 milionë lekë, ndahen për pagesë: 180 milionë lekë në vitin 2016 dhe 189 milionë lekë në vitin 2017. Shuma e fondeve të përcaktuara për vitin 2016 përballohet nga fondi i miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore, ndërsa shuma e fondeve të vitit 2017 të parashikohet në buxhetin e sigurimeve shoqërore të vitit 2017.”, përcaktohet në VKM. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb