NGA: AURORA KOROMANI* Efektivët e policisë që janë pjesë e skemës së marrjes së pensioneve me ligjin e ri të Policisë së Shtetit do të kenë më shumë përfitime. Në draftin e qeverisë shqiptare, që është hartuar në përputhje me ligjin e ri për uniformat blu, përcaktohet se përfituesit nga ky ligj janë punonjësit aktivë, punonjësit në dispozicion, të pezulluar, me pagesë kalimtare, në pension të parakohshëm, në pension pleqërie, studentë, kursantë dhe anëtarët e familjeve të tyre, me përjashtim të rasteve kur në këtë ligj përcaktohen ndryshe.

Ndërkohë, një trajtim të veçantë në këtë ligj zënë familjet e efektivëve të rënë në krye të detyrës, apo ata që janë dëmtuar gjatë ushtrimit të saj, të cilët kanë më shumë përfitime se me ligjin për pensionet suplementare, ku janë përfshirë shumë struktura të tjera, si SHKB, Forcat e Armatosura, Policia e Burgjeve dhe Garda e Republikës. Në draftin e siguruar nga “Gazeta Shqiptare”, përcaktohet se kur efektivët kanë të drejtë të përfitojnë paaftësi të përkohshme në punë, kur përfitojnë shpërblim të menjëhershëm dhe pagesë kalitare, si përfitohet pensioni i parakohshëm suplementar në bazë të vjetërsisë së shërbimit, si dhe kur përfitojnë pension shërbimi.

PAGESA KALIMTARE
Me ligjin e vjetër të llogaritjes së pensioneve, efektivët e policisë, të cilët nxirreshin në rezervë apo lirim, merrnin një shpërblim të menjëhershëm, në masën e dy pagave referuese mujore dhe pas kësaj fillonte trajtimi financiar me pagesë kalimtare, e cila jepej kur përfituesi ka jo më pak se 3 muaj shërbim dhe llogaritet në masën 50 për qind të pagës referuese mujore dhe fillon në muajin e tretë nga data e nxjerrjes në rezervë apo lirim. Ndërsa në projektligjin që pritet të miratohet në Kuvend, në nenin 14 të tij, thuhet se punonjësi i policisë që ndërpret marrëdhëniet e punës përfiton pagesë kalimtare në masën 50 % të pagës mujore, të muajit të fundit për një periudhë 2- vjeçare si dhe shpërblim të menjëhershëm në masën e 2 pagave mujore.

PENSIONET PËR VJETËRSI SHËRBIMI
Në draftin e ri që disponon ‘GSH’, efektivët që ndërpresin marrëdhëniet e punës nuk trajtohen më vetëm me pension të parakohshëm, siç ka qenë në ligjin e vjetër të pensioneve, por në masën e këtij përfitimi shtohet edhe pensioni suplementar. “Punonjësi i policisë, që ndërpret marrëdhëniet e punës përfiton pension të parakohshëm suplementar në masën 50% të pagës mujore e të muajit në çastin e lindjes të së drejtës për përfitim. Këtë pension e përfitojnë të plotë punonjësit e policisë, të cilët kanë vjetërsi shërbimi 15 vite për meshkujt dhe 12 vite për femrat, si dhe kanë mbushur moshën 47 vjeç për meshkujt dhe 42 vjeç për femrat”, thuhet në nenin 15 të draftit, ku flitet për pensionin suplementar të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Nëse bëjmë një krahasim me ligjin e vjetër nr.10142, në nenin 13 të tij ku flitet vetëm për pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi, thuhet se masa e këtij pensioni është 50 për qind e pagës mesatare referuese mujore, për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, e cila shtohet me 2 për qind të pagës mesatare referuese.

Ndërsa në projektligjin që pritet të miratohet së shpejti kanë të drejtë që të përfitojnë edhe efektivët që kanë 10-15 vjet shërbimi për meshkujt dhe 7-12 vite për femrat, në masën 3 % më pak se 50 % të pagës mujore, të muajit të fundit për çdo vit, gjë që ligji i vjetër nuk ua lejon. Veç kësaj, në këtë projektligj përcaktohet qartë se për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, sipas përcaktimit, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës mesatare referuese. Pra, efektivët që kanë mbi 15 vite shërbimi për meshkujt dhe mbi 12 vite për femrat, masa e pensionit rritet me 2% të pagës. “Për çdo vit shërbimi mbi 15 vite për punonjësit e policisë meshkuj dhe 12 vite për punonjësit e policisë femra, punonjësi përfiton shtesë në masën 2% të pagës mujore të muajit të fundit. Shuma e përfitimit nuk duhet të jetë më shumë se 65% e pagës mujore të muajit të fundit”, citohet në nenin 15 të draftit. Por, me anë të këtij projektligji do të kenë mundësi të përfitojnë edhe pension suplementar shërbimi, i cili në ligjin e vjetër nuk ka ekzistuar. Kështu, në nenin 16 të draftit thuhet se “punonjësi i policisë ka të drejtë të dalë në pension shërbimi kur ka plotësuar 25 vite vjetërsi shërbimi dhe moshën 55 vjeç për meshkuj dhe 50 vjet për femrat. Masa e pensionit është 65% e pagës mujore të muajit të fundit dhe për çdo vit shërbimi mbi 25 vjet, masa e pensionit rritet me 1% të pagës, por nuk duhet të kalojë 75% të pagës mujore të muajit të fundit”.

PENSIONI PËR PAAFTËSI
Në nenin 9 të projektligjit që është përgatitur së fundmi përcaktohet se sa është masa e përfitimit suplementar për paaftësi të përkohshme në punë, e cila duke e krahasuar me ligjin e vjetër të llogaritjes së pensioneve, ka pësuar një ulje. Kështu, në projektligjin e ri përcaktohet se për këtë rast përfitimi llogaritet 100 për qind e pagës mujore, të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, kur paaftësi e përkohshme zgjat deri në 14 ditë, për një periudhë prej 6 muajsh dhe 10 për qind e pagës mujore, të muajit të fundit kalendarik të shërbimit në periudhën e shtrimit në spital, kur përfituesi ka persona në ngarkim. Ndërkohë, që me ligjin e vjetër nr.10142 të llogaritjes së pensioneve, pjesë e këtij përfitimi llogaritej edhe 20 për qind e pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, nga dita e pesëmbëdhjetë e paaftësisë e në vazhdim.

EFEKTIVËT E RËNË NË DETYRË
Në draftin e ri, familjarët e policëve që kanë rënë në krye të detyrës trajtohen në mënyrë të veçantë, ndërkohë që në këtë projektligj për këto familje shtohen edhe ndihmat e menjëhershme financiare në rast vdekjeje, të cilat në ligjin e vjetër në bazë të të cilit llogariten përfitimet e kësaj kategorie, nuk janë.
“1.Pjesëtarëve të familjes që bashkëjetonin me punonjësin e policisë në çastin e humbjes së jetës për shkak të detyrës, u jepet ndihmë e menjëhershme financiare, në masën deri në 10 paga mujore, sipas pagës mujore të muajit të fundit.
2.Pjesëtarëve të familjes që bashkëjetonin me punonjësin e policisë, në çastin e humbjes së jetës, për shkak të detyrës, përfiton ndihmë financiare në masën e një page për gradë, të pagës mujore, të gradës që kishte punonjësi, në çdo përvjetor vdekjeje.
3.Punonjësi i policisë në rast të plagosjes për shkak të detyrës që ka sjellë humbjen e aftësisë së përkohshme në punë mbi 9 ditë, përfiton ndihmë të menjëhershme financiare, deri në 5 paga mujore, sipas pagës mujore të muajit të fundit”, citohet në nenin 12 të këtij projektligji, në të cilin trajtohen ndihmat e menjëhershme. Ndërsa në nenin 13 të draftit, ku përcaktohen kriteret për ndihmën e menjëhershme financiare në rast vdekjeje të punonjësve të uniformave blu, thuhet: “Pjesëtarëve të familjes së punonjësit të Policisë së Shtetit që humb jetën u jepet ndihmë e menjëhershme dhe u kompensohen shpenzimet e varrimit”.

(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: