BERAT

Pas urdhėrit të dhënë mbrëmë nga kryeministri,sot moshat e treta kanë shijuar për herë të dytë liridaljen e tyre,pas një muaji e gjysëm izolim. Liridalja e pensionistëve u shfrytëzua edhe nga banorë të tjerë beratas,mes tyre gra dhe fëmijë,duke shkelur kështu rregullat e vendosura të karantinës së fundjavës.

Pensionistët e kanë shijuar mjaft ditën e sotme,duke vërshuar që prej orëve të para të mëngjesit në rrugë,parqe e lulishte dhe duke shfrytëzuar kryesisht ambjentet e gjelbëruara por duket qartë që pjesa më e madhe e tyre nuk kanë respektuar distancën dhe masat mbrojtëse. Ata kanë shijuar rrezet e ngrohta të diellit në këtë ditë të bukur pranvere,kur çdokush tjetër ka qënë në karantinë të plotë dhe ku gjithçka ka qënë e mbyllur.

Dita e sotme,me diell dhe temperatura të larta i ka favorizuar pensionistët që ta shijonin nën rrezet e diellit liridaljen e tyre deri në orën 11:00,orar kur të gjithë ju drejtuan banesave të tyre,për të respektuar orarin e liridaljes. Shumë prej pensionistëve ishin pa maska mbrojtëse e dorashka në rrugë,por edhe të shkujdesur në ruajtjen e distancimit social mes njëri-tjetrit.

Pensionistët pohojnë se,pasi kanë dalë sot herët dhe pasi shëtitën dhe shikuan ajrin e freskët dhe rrezet e diellit,po i drejtohen banesave për të respektuar orarin e liridaljes. Sipas pensionistëve,Berati duhet të ishte futur në listën e qyteteve të gjelbëra dhe lirohej më tepër,pasi është një qytet i paprekur nga coronavirusi dhe një qytet me njerëz të kulturuar,që dinë të respektojnë rregullat dhe masat e vendosura nga qeveria.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb