Një raport i Pentagonit i shpërndarë për publikun nga Fronti Kombëtar i Rezistencës së Iranit, thekson se i gjithë sulmi kundër muxhahedinëve që është bërë këto ditë në disa qarqe mediatike në Tiranë, ka pasur si bazë materialet e dy agjentëve të shërbimit sekret të Iranit, MOIS.

Raporti i Pentagonit identifikon Anne Singleton dhe Masud Khodabandeh, si agjentë të MOIS jashtë vendit dhe që janë financuar për të ngritur një propagandë që i cilëson muxhahedinët si terroristë.

Raporti i Pentagonit thekson se të gjitha materialet e publikuara këto ditë në median shqiptare janë hartuar nga interlink.org, një faqe interneti e financuar nga Ministria e Inteligjencës së Teheranit.

Raporti i Pentagonit që përmban 64 faqe ka si titull: “Profil i Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit” dhe është përgatitur në bazë të një marrëveshjeje ndërinstitucionale për luftën ndaj terrorizmit.

“MOIS mbështetet në mënyrë aktive dhe të përhershme nga Trupat e Gardës Revolucionare, të cilët kanë lënë gjurmët e tyre në akte terroriste që nga Argjentina në Liban”, thekson raporti.

MOIS ka rekrutuar mjaft shtetas të huaj, duke përfshirë edhe britanikë.

Sipas raportit, Massoud Khodabandeh ishte rekrutuar nga MOIS në fund të viteve 1990 dhe Anne Singleton u punësua aty në vitin 2002.

Ndërkaq, Komiteti Italian i Helsinkit, në një deklaratë të shpërndarë ditën e djeshme nga Roma, ka përshëndetur vendimin e Tiranës zyrtare për të strehuar muxhahedinët që ndodhen në rrezik për jetën në “Kampin e Lirisë në Irak”.

Komiteti Italian i Helsinkit thekson në qëndrimin e tij se sulmet ndaj muxhahedinëve janë një veprim i regjimit të Teheranit i cili ka paguar milionë dollarë për të denigruar opozitarët e tij.(tesheshi)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb