Përmes një sulmi me dron, Shtetet e Bashkuara më 22 tetor kanë vrarë në Siri një udhëheqës të lartë të Al-Kaidës, tha Komanda Qendrore amerikane.

Vdekja e Abdul Hami dal-Matar “do të shkatërrojë aftësinë e organizatës për të organizuar dhe kryer sulme botërore që kërcënojnë qytetarët amerikanë, aleatët tanë dhe civilët e pafajshëm”, tha zëdhënësi i Komandës Qendrore, majori, John Risgbee përmes një deklarate.

“Ne nuk kemi asnjë indikacion për viktima në mesin e civilëve nga ky sulm, që u krye duke përdorur avionin MQ-9”, tha Rigsbee, duke iu referua një lloji të dronit.

Ky sulm në veriperëndim të Sirisë vjen dy ditë pas një sulmi ndaj një post-blloku amerikan në jug të Sirisë. Megjithatë, Rigsbee nuk tha nëse sulmi me dron ishte kryer në shenjë hakmarrjeje.

Shtetet e Bashkuara më herët gjatë javës konfirmuan se garnizoni Al-Tanf ishte sulmuar më 20 tetor, duke thënë se nuk kishte të lënduar në mesin e personelit amerikan.

Në deklaratën e Komandës Qendrore thuhet se sulmuesit përdorën “dronë dhe shtënë me armë” drejt Al-Tanf, një garnizon në jug të Sirisë, që u krijua më 2016, si pjesë e luftës kundër grupit militant, Shteti Islamik.

Rigsbee tha se Al-Kaida vazhdon të paraqesë kërcënim për SHBA-në dhe aleatët e saj dhe se ky grup e përdor Sirinë si strehë të sigurt për t’u “rindërtuar, koordinuar me aleatët dhe për të planifikuar operacione të jashtme”.

SHBA-ja do të vazhdojë të targetojë anëtarët e Al-Kaidës dhe organizatave të tjera terroriste që kanë për qëllim të dëmtojnë SHBA-në, tha Risgbee./rel

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb