TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga stadiumi “Air Albania” se pritet një marrëveshje për 360 mijë doza të vaksinës kundër COVID-19 nga Astra Zeneca. Rama tha se për 1 mijë persona vaksinimi mbyllet këtë javë, teksa nesër do të nisë dhe në Vlorë.

“Aty ishim më përpara tek shtëpia e të moshuarve në Tiranë. Të moshuarit që janë nën kujdesin shtetëror plus stafi që ka bërë punë heroike sepse për dijeninë tuaj shtëpitë e të moshuarve ishin pikat më kritike si rezultat i hyrjes së virusit ku ka pasur raste tragjike ku janë shuar të gjithë të moshuarit, ndërkohë që këtu stafi është mbyllur me ta brenda. Duke bërë këtë sakrificë s’kemi pasur humbje jete. Për rreth 1 mijë persona vaksinimit do përfundojë këtë javë, ndërkohë që po shtrihet në gjithë rrjetin e bluzave të bardha. Sot këtu janë prezentë, mjekë infermierë, nga Durrësi, Mati, Bulqiza. Nesër do jemi në Vlorë dhe në zonën poshtë. Do vazhdojmë njëkohësisht këtu me një numër tjetër të moshuarish që janë personalitete që duhet t’i mbajmë me gjithçka mundemi, sa më mirë dhe jo thjesht të kujtohemi kur ndahen nga jeta dhe mbajnë fjalime dhe presim nga dita në ditë të kemi një konfirmim të rëndësishëm për të finalizuar marrëveshjen për 360.000 doza të vaksinës Astra Zeneca një orë e më parë. Mbrëmë kemi pasur kontakt me një shtet mik dhe përsëri aty kemi shumë shpresë realiste që do kemi një sasi tjetër. Mbetemi shumë të bindur që skenari A, i vaksinimit të gjithë popullatës do realizohet që do të thotë brenda 14 muajsh të kemi kryer gjithë vaksinimin”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb