Nis seanca në Kolegjin e Posacëm të Apelimit për ish-gjyqtaren e Gjykatës së Lartë Arjana Fullani, kundër vendimit të KPK-së të datës 23 korrik të 2019, ku u vendos që Arjana Fullani për 15 vite të mos ushtronte asnjë funksion në drejtësi.

Fullani e ankimoi pjesërisht vendimin që e përjashton për 15 vite por jo mbarimin e mandatit të saj si magjistratë.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se trupa gjykuese e KPA tërhiqet në dhomë këshillimi për minuta që të marrë një vendim në lidhje me prokurën e përfaqësimit që Arjana Fullani i ka lëshuar avokates së saj.

Avokatja e Fullanit, Evelina Qirjako sqaroi se çfarë kërkon zonja Fullani nga KPA-ja.

“Në të katër pikat në ankimojmë vetëm humbjen e së drejtës për tu emëruar gjyqtare apo prokurore për një periudhë 15 vjeçare. KPA në të gjithë tagrat e Kushtetutës i ka tagrat për të korrigjuar vendimet e KPK. Fullani është emëruar në Gjykatën e Lartë sipas Kushtetutës së vjetër. Emërimi i saj është bazuar në Kushtetutë, ku cilësohet se anëtarët e Gjykatës së Lartë kanë mandat 9 vjeçar pa të drejtë riemërimi.

Në datë 28.7.17 ishte data e fundit e mandatit të saj. Me përfundimin e mbarimit të mandatit u mblodhën Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë dhe pasi verifikuan përputhshmërinë vendosë të deklaronin përfundimin e mandatit të Fullanit.

Në 31.7.17 Fullani i dërgoi letër kryetarit të Gjykatës së Lartë për dorëzimin e detyrës. Kryegjyqtari i Lartë njoftoi edhe Presidentin. Pas këtij momenti Fullani aktivizoi licensën e Avokatisë.

Më vonë u vu në dijeni të faktit se ndaj saj kishte nisur vettingu. Në 15.5.18 kryetarja e KPK na tha se edhe pse keni mbaruar mandatin, ju keni statusin e magjistratit. Në 3.12.18, pas gati 6 muajsh i jemi drejtuar KPK ku e kemi sqaruar se nuk jemi më objekt i ligjit. KPK i dërgon letër KLGJ ku e pyet në lidhje me statusin e Fullanit. KLGJ i dërgoi letër gjyqtarëve duke i kërkuar nëse japin pëlqim për tu emëruar në Apel. Fullani është përgjigjur duke i thënë se nuk kërkonte të emërohej, pasi po bënte avokaten. Pas këtij momenti KLGj mori vendim për heqjen e statusit të Magjistratit”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: