Një parashikim i frikshëm nga Gjermania. Shtetasja shqiptare Migen Begolli, e cila jeton në Gjermani, ku është edhe pjesë e administratës ka folur në një lidhje ‘live’ me News24 për situatën në këtë vend nga koronavirusi. Begolli tha se sot ka një tjetër panoramë pasi ka më pak lëvizje por sërish nuk ka një mbyllje totale.

Sipas saj në 8 ditë maksimumi Gjermania do të jetë në pozitën e Italisë, pasi siç shprehet ajo numri i të infektuarëve në një ditë rritet me 32% dhe masat nga ekspertët janë konsideruar të ngadalta.

“Gjermania ka një frymëmarrje tjetër sot si pasojë e masave të marra nga qeveria. më pak kalimtarë, më pak makina. Nuk ka panik por njerëzit janë vetëizoluar. Gjermania nuk e ka bërë akoma atë mbylljen totale që ka ndodhur në Shqipëri.

Në Gjermani për herë të parë që prej shfaqjes së COVID-19 është arritur të bëhet një videoekonferencë e Merkel dhe 16 landeve.

Kemi 8 mijë të infektuar dhe 17 të vdekur. Ajo që i vë në vigjilencë ekspertët është që ka një rritje të shkallës së infektimit me 32% në ditë. Pritet një dyfishim i shifrës për 2-3 ditë.

Kemi një zhvillim kulminant të numrit të infektuarve. Ky numër madje thuhet se nuk është numri real i personave të infektuar. Mendohet të jetë minimumi 4 herë më i madh”, tha Begolli.

Ajo deklaroi se nuk ka testime në masë të gjerë por vetëm ata që kanë simptoma. “Zyrat e Shëndetit bëjnë testime vetëm në qoftë se pacienti paraqet simptoma. Kemi dhe kolegë të administratës që kanë treguar simptoma dhe futet në vetëkarantinë për 2 javë.

Virologët po e kritikojnë Gjermaninë që nuk po bëhet shut down. Ka institucione që akoma punojnë. Ne punojmë, nuk kemi publik por sido që të jetë ke kontakte, lëvizje. Ekspertët i quajnë të ngadalta hapat.

Pritet situatë si në Itali, maksimumi në 8 ditë pritet përhapje e virusit. Problemi është a do jenë qendrat t’i presin gjithë këta njerëz. Mungon një vendim”, tha Begolli.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb