Ish ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 u ndal tek çështja McGonigal për të cilën tha se transparenca në këtë aferë është e domosdoshme, duke shtuar se përjashtimi i opozitës është po ashtu vendim abuziv.

“Ne duhet si deputetë të krijojmë një raport të qartë me transparencën. Protesta është një element për të rritur presionet. PD duhet të unifikojë qëndrimet e veta. Gjykata e mban peng, por ka edhe njerëz që e mbajnë peng. Ka individë që nuk e duan bashkimin”, shtoi Fatmir Mediu.

Sa i përket protestës së thirrur nga opozita, Mediu u shpreh se do të marrë pjesë si qytetar. Për Mediun Partia Demokratike duhet të jetë e bashkuar, ndërsa shtoi se zvarritja e vendimit të gjykatës çështjen e PD është bërë me qëllim.

“Në protestë do të jem padyshim. Si qytetar do të jem pjesë e protestës, edhe pse nuk kam pasur konsultime. Betejat politike janë në vazhdim. Besoj se zvarritja e vendimit të Gjykatës për PD është e qëllimshme”, tha ai.

Gjithashtu ai foli edhe për çështjen e Gërdecit, për të cilën tha se në atë kohë ka pasur shërbime kundër Shqipërisë në NATO.

“Unë në atë kohë kam marrë vendimin për të dhënë dorëheqjen në momentin që ndodhi tragjedia, që me humbjen e jetës së një fëmije. Kam pasur kërkesa të mos jepja dorëheqje, por unë e kam marrë këtë vendim sepse në kohën kur isha Ministër Mbrojtje humbën jetën njerëzish dhe kam deklaruar se nëse do të kishte një kontakt me ata që bënin procesin e demontimit unë do të merrja përgjegjësi. Nuk është gjetur asnjë kontakt apo shkelje në raport me këtë çështje. Është provuar se ata që bënin demontimin kishin marrë komandën. Ministri nuk ka pasur në asnjë rrethanë kontakte. Unë kam marrë dijeni ditën që ndodhi tragjedia dhe në raport me ketë çështje nuk kam pasur një marrëdhënie specifike”, tha ai.

Pjesë nga biseda në studio:

Pyetje: Familja Durda ka drejtuar gishtin tek ju si fajtor për çështjen e Gërdecit?

Fatmir Mediu: Unë e kuptoj dhe e kam thënë që nuk mund ta kompensoj dot atë humbje. Ata mendojnë që është përgjegjësi e ministrit. Në gjithë kërkesën e tyre përgjegjësia duhet të shkojë sa më lart, por në respekt të ligjit mendoj se situata është më ndryshe. Duhet të shohim përse ndodhi? Tri javë përpara se të ndodhte Gërdeci unë kam qenë në NATO dhe nga drejtori i Shërbimit Informativ na është thënë se duhet të merreshin masa të mos kishte ngjarje të jashtëzakonshme. Nga ekspertiza amerikane ka shumë pikëpyetje.

Pyetje: Ngjarje e stisur për të goditur Shqipërinë?

Fatmir Mediu: Ngjarje që kanë ndodhur në Rumani, Bullgari, Malin e Zi nuk kanë qenë ngjarje spontane, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka pasur vështirësitë e veta. Ne nuk kemi institucione që vlerësojnë çështje të sigurisë. Çështja është në gjykatë dhe shpresoj të vlerësohen të gjitha pikëpamjet. Përgjegjësinë morale dhe politike e kam marrë. Historinë e gjyqeve popullore mendoj se kemi lënë pas.

Pyetje: Vizita në SHBA, ka lidhje me Gërdecin?

Fatmir Mediu: Jo aspak. Ka qenë një konferencë që ka të bëjë me çështjet e sigurisë. Siguria është shumë më tepër se aspekt ushtarak.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb