Një hajdut i guximshëm ka vjedhur rreth 800 metra asfalt betoni në Kinë për ta rishitur më pas si një formë për të fituar pak para, raportoi media kineze.

Ishin pikërisht banorët e fshatit Sankeshu, në provincën Jiangsu (lindje) të cilët njoftuan policinë në 24 janar për ta vënë në dijeni zhdukjen misterioze të asfaltit.

Banorët ndërkohë mendonin se po kryheshin riparime në rrugë. Por, policia brenda një kohe të shkurtër zbuloi një skenar mjaft të ndryshëm.

Një burrë kishte marrë me qera një vinç për të shkëputur asfaltin nga rruga, më pas i ka ngarkuar copëzat e betonit në kamionë, për të udhëtuar më pas drejt një fabrike materialesh ndërtimi për shitjen e tyre.

“Për më tepër që kjo rrugë nuk përshkohej më nga askush. Atëherë përse të mos merrja copëzat e betonit për të bërë pak para’’, ishte shprehur ai per “China News Service”.

Hajduti mundi të sigurojë në total 500 ton beton. Fabrika këtë sasi ia bleu për 5 000 juan (640 euro).

Kjo histori e pazakontë u publikua sot në rrjetet sociale kineze duke nxitur dhjetëra mijëra komente.

“Varfëria e ka bërë vërtetë më kreativ”, shkruante një komentuese në platformën Weibo. Një tjetër ishte më i ashpër kur shkruante se ”dënimi i duhur do të ishte riparimi nga ai vetë i rrugës së dëmtuar”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: