Nga: XHEVAT MUSTAFA*
Merret me mend se qeveria jonë dhe personalisht kryeministri Edi Rama duhet të kenë përgatitur me kohë një listë të gjatë me kërkesa emergjente dhe afatgjata për ndihmë a mbështetje, për t’ia paraqitur apo lënë në dorë kancelares Angela Merkel gjatë vizitës së saj rreth 4-orëshe në Tiranë. Me siguri ajo do t’i presë pa befasi, por me shumë mirëkuptim dhe dashamirësi, për të bërë më të mirën e mundshme, brenda një kohe sa më të shpejtë për qytetarët shqiptarë. Zonja Merkel ka informacion të bollshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët e para 25 vjetëve dhe të sotëm. Përveç informacioneve të shpeshta e të rregullta nga ambasada e Gjermanisë në Tiranë, kancelarja Merkel ka përfituar të dhëna fare të freskëta edhe nga “ushtria” prej rreth 30 mijë azilkërkuesish nga Shqipëria brenda 6 muajve të parë të vitit 2015. Këto e kanë ndihmuar atë për ta njohur më mirë e më saktë edhe Shqipërinë e Edi Ramës, përtej retorikave, tymnajave dhe shifrave mediatike dhe propagandistike qeveritare dhe opozitare.
Një dëshmi e re dhe shumë shprehëse e qenies së saj si dashamirëse e sinqertë dhe konsekuente e Shqipërisë dhe e shqiptarëve është edhe nënshkrimi në Tiranë, më 6 korrik 2015, nga ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Helmut Hoffmann dhe ministri i Financave të Shqipërisë, Shkëlqim Cani, i gjashtë marrëveshjeve të bashkëpunimit financiar, me vlerë të përgjithshme në rreth 118 milionë euro. Këto do të jenë të adresuara për zhvillimin ekonomik të vendit dhe përmirësimin e disa shërbimeve të rëndësishme për qytetarët shqiptarë si furnizimi me energji dhe ujë, sigurimi i digave, përpunimi i mbetjeve, ulja e nivelit të papunësisë, etj.
Vetëkuptohet se të gjithë, duke përfshirë klasën politike në qeverisje dhe në opozitë, ekipin qeveritar dhe rreth 3 milionë qytetarët që jetojmë fizikisht në Shqipëri, duhet t’i jemi shumë e sinqerisht mirënjohës kancelares Merkel dhe nëpërmjet saj, shtetit, popullit dhe vendit që ajo përfaqëson me aq përkushtim, devotshmëri dhe dinjitet, për mbështetjen e madhe dhe të shumëformëshe që na ka dhënë gjatë rreth 24 viteve të periudhës së paskomunizmit, sidomos për plotësimin sa më mirë të kërkesave dhe standardeve, për një ecuri më të përshpejtuar të proceseve të integrimit të Shqipërisë në NATO dhe BE.
Por, gjykoj se brenda aq pak orëve, kancelarja Merkel mund të na ndihmojë shumë edhe në drejtime të tjera, shumë jetike për ne qytetarët shqiptarë. Kështu, kryeministri dhe presidenti ynë mund t’i kërkonin këshilla dhe përvojë zonjës Merkel se çfarë duhet të ndryshojnë dhe bëjnë për të pasur edhe shqiptarët një shtet ligjor të vërtetë, të fortë, funksional, të pastër nga korrupsioni ordiner, politik dhe juridik, të ndjeshëm për zbatimin e parimit kushtetues të barazisë së njerëzve para ligjit, për politikë sociale reale e jo formale. Po në këtë kuadër, kancelares Merkel mund t’i kërkohen këshilla, sugjerime dhe përvojë se si të shmanget sa më shpejt dhe njëherë e mirë në Shqipëri mentaliteti dhe praktika e mbizotërimit deri në autokratizëm të liderëvë apo kulteve partiakë e shtetërorë; e partishmërisë apo militantizmit të verbër… Vetëkuptohet, na duhet dhe na vlen shumë përvoja gjermane edhe se si mund të luftohet me sukses edhe “tradita” e ndërhyrjes arbitrare dhe shpesh të paskrupullt të politikës mbi institucionet e drejtësisë si dhe e anësisë, vartësisë dhe papërgjegjshmërisë profesionale, qytetare dhe morale, të plot prokurorëve dhe gjyqtarëve, jo vetëm nga lart, nga qeveritë, por edhe nga poshtë, nga zarfet dhe dhuratat e tjera korruptive…
Kryeministri Edi Rama e qeveritarët dhe shtetarët e tjerë të lartë, që do të kenë fatin të takohen dhe bisedojnë me kancelaren Merkel, do të bënin mirë ta pyesnin atë edhe për rastin e Christian Wulfit, i mbështetur fort edhe nga Angela Merkel, për t’u zgjedhur president i Gjermanisë në qershor 2010. Siç dihet, pas vetëm 598 ditësh në post, presidenti Wulff u detyrua të jepte dorëheqje, i akuzuar për vetëm 720-750 euro, të cilat sipas prokurorisë, çifti Wulff i kishte përfituar pa të drejtë nga një producent filmash për një darkë një natë në hotel, një vizitë në festën e birrës dhe për pagesën e një dadoje fëmijësh. Më 27.02.2014 Gjykata e Landit në Hanover shpalli vendimin se Christian Wulf është i pafajshëm dhe se nuk ka shpërdoruar postin për përfitime personale në kohën kur ka qenë kryeministër i landit të Saksonisë së Poshtme. Megjithatë, ai u dogj fort, edhe politikisht, edhe moralisht, ndoshta përgjithmonë.
Duhet kujtuar se fatura që i shkatërroi karrierën, që i nxiu imazhin dhe jetën për një kohë të gjatë ish- presidentit Christian Wulf është qindra e mijëra herë më e vogël se sa ato që qarkullojnë rëndom nëpër duart, xhepat, çantat, depozitat bankare të jo pak politikanëve, qeveritarëve, shtetarëve, zyrtarëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri, që investohen nga ata edhe për pazare korruptive e kriminale apo për vila e saraje. Ndryshe nga sa ndodh në Gjermaninë e Angela Merkelit, tek ne, në Shqipërinë e Sali Berishës e të Edi Ramës, shiten e blihen nota e diploma, vota e mandate, deputetë e qeveritarë, kryebashkiakë e këshilltarë, fshihen si koka e strucit në rërë pallate 10-30-katëshe, hotele, komplekse turistike, vila e saraje sulltanësh e sheikësh; supermerkato gjigante, karvane të gjata maunesh…
Edhe pse mikesha e madhe e shqiptarëve, Angela Merkel do të qëndrojë vetëm rreth 4 orë në Tiranë, do të ishte në dobi të të gjithë qytetarëve nëse Edi Rama, Ilir Meta, Bujar Nishani, Luzim Basha… nuk do t’i vlerësonin si të humbura ato pak minuta që mund t’ia konsumonin për “t’i kërkuar asaj ndihmë” se si mund të organizohen dhe zhvillohen edhe në Shqipëri zgjedhje me të vërtetë të lira, të ndershme, të pastra, demokratike, pa futur duar në lista e kuti votimi, pa vjedhur e blerë njerëz e vota, si në Gjermani.
Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha do të bënin mirë të kërkonin këshilla e përvojë nga kancelarja Angela Merkel edhe për mënyrën e luftës partiake e politike mes pozitës dhe opozitës në Gjermani. Dihet se edhe në Gjermani ka pozitë dhe opozitë, por përgjithësisht nuk bëjnë si pozitarët dhe opozitarët tanë, që grinden, shahen, rrihen dhe fyhen me sjellje dhe fjalor njerëzish të rrugëve, jo vetëm të enjteve, që e pengojnë njeri-tjetrin edhe kur është fjala për punë të mira në dobi të një komuniteti apo të të gjithë qytetarëve. Ndryshe nga ajo që shprehin kolegët e tyre gjermanë, politikanët dhe deputetët shqiptarë dëshmojnë në vazhdimësi e me pandjeshmëri morale e ligjore se për ta vlejnë më shumë kolltukët dhe përfitimet e tyre marramendëse personale, familjare apo ortakërore se sa Shqipëria e sotme dhe e nesërme.
Të kuptohemi, Edi Rama, Ilir Meta, Bujar Nishani, Luzlim Basha…, mund t’i bëjnë zonjës Merkel edhe shumë pyetje dhe kërkesa të tjera. Nuk ka dyshim se ajo do të tregohet e gatshme dhe e sinqertë për t’iu përgjigjur e për t’i ndihmuar. Problemi apo e keqja jonë është se politikanët, shtetarët dhe qeveritarët tanë i dinë mirë të gjitha detyrimet, përgjegjësitë dhe detyrat, por u mungon vullneti dhe dëshira për t’i kryer ato me korrektesën dhe pastërtinë, që karakterizon Angela Merkelin dhe që ua kërkon ajo prej vitesh, pa u mërzitur dhe lodhur, me shumë dashamirësi e sinqeritet.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: