Më 10 tetor do të shënohet Parada e Parë e Krenarisë në Kosovë e komunitetit LGBTI dhe përkrahësve, e cila do të nisë në sheshin “Skënderbeu” dhe do të përfundojë në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Pas tre marsheve, ky do të jetë viti i parë që mbahet Parada e Krenarisë e cila do të fillojë në ora 11:30 në sheshin “Skënderbeu” dhe do të përfundojë në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Pas përfundimit të paradës do të mbahet një fjalim në lidhje me ngjarjen dhe do të përfundojë me një koncert të shkurtër. Motoja e Javës së Krenarisë për këtë vit është “Në emër të Dashnisë”.

“Kjo moto ka për qëllim ngritjen e vetëdijes te qytetarët për të treguar që komuniteti LGBTI ashtu si edhe gjithë shoqëria mund të duan dhe të dashurojnë, si dhe largimin e paragjykimeve që shoqëria kosovare i ka për komunitetin. Gjithashtu, ftohen institucionet relevante që të angazhohen më shumë në zbatimin e ligjeve, strategjive të parandalimit të dhunës ndaj komunitetit LGBTI dhe ofrimin e shërbimeve në mbrojtjen dhe mirëqenien e viktimave”, thuhet në njoftim.

“Në studimin e kryer nga National Democratic Institute- NDI ‘Hulumtimi i mendimit publik për komunitetin LGBTI në Ballkanin Perëndimor’, Kosova del të jetë vendi më homofobik në rajon, ku personat e këtij komuniteti janë të diskriminuar në të gjitha fushat e jetës. Ftohen të gjithë qytetarët e Kosovës të bashkëngjiten në Paradën e Krenarisë që kjo kauzë të bëhet më e zëshme, në mënyrë që shoqëria jonë të jetë më tolerante dhe pranuese ndaj diversitetit dhe dashnisë”, thuhet më tej në njoftim.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: