Nga: BEN ANDONI *
Një aktiviste e njohur e shoqërisë civile ballkanike, denoncuese sistematike e krimeve të luftës mbi të pafajshmit në ish-hapësirën jugosllave, është para gjyqit në Serbi në vendin e saj. Më 19 maj, Natasha Kandiç i duhet të dokumentojë akuzën e saj direkte për shefin e Shtabit të ushtrisë serbe dhe të përballet me vendimin në gjykatën komunale të Beogradit. Deri më këtu, duket se nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë, përveç një fakti të vockël, aq sa nuk duket fare. Asnjë nga organizatat e shumta shqiptare, që merren me të drejtat e njeriut, nuk ka thënë as edhe një fjalë të vetme në mbrojtje të këtij personaliteti të madh në mbrojtje të shqiptarëve, qoftë si solidaritet, por edhe si mbështetje direkte.
Për të kujtuar publikun me rastin dhe luftën e saj, po rrëfejmë akuzën që ajo i ka bërë njërit prej njerëzve më të fortë me pushtet në Serbi: Ngjarja zhvillohet në Beograd dhe personazhet janë realë. Ata janë respektivisht Natasha Kandiç, ish-drejtore ekzekutive e Qendrës Ligjore Humanitare, përballë saj qëndron shefi aktual i Shtabit të ushtrisë serbe, Ljubisha Dikoviæ. Aktivistja e të drejtave të njeriut e ka akuzuar direkt in person për krime lufte oficerin më të lartë serb. Ashtu si mund të merret me mend, avokatët e tij e kanë alibinë: Ai nuk ka qenë në atë kohë në vendin e akuzës dhe e kundërpadit direkt aktivisten për shpifje, e madje i kërkon një kompensim prej një milion dinarësh (1 euro është 120 dinarë) për shkelje të nderit qytetar dhe reputacionit si ushtarak! Avokati i Dikoviæ ka madje edhe konfirmimin e Prokurorit të Krimeve të Luftës të vitit 2012, se kundër klientit të tij nuk ka pasur procedurë të hapur për ndonjë vepër penale. Akuza e strukturës së Kandiç mbi të bën të njohur se: më 25 korrik 1995, si komandant i Batalionit të Kufirit, ai ka arrestuar disa myslimanë, të cilët u likuiduan më vonë. Kjo nuk është e vërtetë, thonë njerëzit e Dikoviæ, pasi në nëntor të vitit 1994, Dikoviæ dorëzoi detyrat e tij, i shkarkuar, dhe nuk ishte fare në vendin e supozuar të krimit. Në raport janë bashkëngjitur urdhri i shkarkimit dhe procesverbali i tij i dorëzimit.
E stërzgjatur pak kjo hyrje, por ideja në shkrim, është krejt tjetër. Ajo lidhet me impaktin dhe mbrojtjen e kauzave, por edhe me protagonizmin real të shumë prej organizimeve shqiptare, që merren me të drejtat e njeriut. Në këtë kuptim do të ishte i arsyeshëm dhe më shumë se kaq i duhur, një zë përkrahës publik i këtyre organizmave për të. Veç një artikulli të pak ditëve më parë në mbrojtje, asgjë nuk është thënë për këtë grua, që ka kontribuar si askush në Ballkan për denoncimin e krimeve të luftës të personazheve kryesisht serbë, por edhe kroatë, boshnjakë e shqiptarë. Duke ditur historinë e organizmave të shoqërisë civile, shembulli i kësaj gruaje, është fare pak i ndjekur dhe nuk besojmë të ketë inspiruar ndonjë prej OJQ-ve shqiptare. Ndryshe nga kolegët/koleget e saj shqiptarë që janë mikluar pafundësisht nga shteti, ajo s’e ka reshtur asnjëherë punën e saj, madje edhe kur Serbia arrestoi Mladiæ dhe Karaxhiæ. Për të, procesi dhe katarsisi i Serbisë nuk duhej të ndalonte, duke iu kundërvënë direkt dhe ish-presidentit me ‘look’-un demokrat Boris Tadiæ, që lau duart pas arrestimeve të tyre. Ajo i akuzoi direkt pushtetarët e atëhershëm serbë, se loja proevropiane nuk shkonte me nderimin që segmente të tëra të shtetit tregonin për këto figura. E anatemuar nga serbët, ajo nuk reshti të tregojë nga ana tjetër edhe për të akuzuarit e luftës kroatë, boshnjakë, shqiptarë etj., duke u përshfaqur si duhet një përfaqësuese e denjë e lëvizjeve sociale…
Në këtë prizëm, organizmat e shoqërisë civile në Shqipëri mund të kishin se çfarë të mësonin nga ky personazh. Paçka se masa e madhe e këtyre organizmave te ne janë shumë larg mbrojtjes së kauzave. Njerëzve të këtyre shoqatave, me mirëqenie lëbyrëse, me para, influencë, u bëjnë pak përshtypje kauza të tilla. Media, nga ana tjetër, si pjesë përbërëse e sistemit ku janë dhe ata, mbetet e lidhur direkt me konjuktura politike ose interesa biznesesh të veçanta, që vështirë se mund të mbështesin në vazhdimësi ideale si ato të znj. Kandiç. Individë të ndryshëm intelektualë, më së shumti analistë, diktohen nga e përditshmja, konjuktura, por edhe nga mbijetesa në artikulimet e tyre. E ç’punë prish mbrojtja e Natasha Kandiç, ato mund ta bëjnë? – mund të pyetet normalisht. Po, ajo që prish shumë është përgjigjja, pasi mbrojtja dhe respekti ndaj saj është përqafimi i një modeli që nuk kërkon rehati. Shoqëria civile shqiptare është kampione e rehatisë dhe demagogjisë boshe. Bëhesh direkt skeptik, kur kujton se shumica e OJQ-ve, nuk arriti të bënte as gëk me rastin e “21 janarit”, harruan “Gërdecin”, para tyre mezi u shprehën për vrasjet e vitit 1998, histerinë serbe pas ndeshjes; mezi artikulonin më 1996, ndonjë gjë kur regjimi i Berishës i mbyti me dru njerëzit e thjeshtë; apo sot nuk dinë të ngrenë zërin edhe për padrejtësi të tëra ndaj individit të thjeshtë shqiptar, që dhunohet kudo… Ndaj modeli i Natasha Kandiç është një model që u prish gjumin strukturave të shoqërisë civile shqiptare, roli më i madh i të cilave mbetet i kufizuar në kauza, që nuk ngrenë peshë. Me pak fjalë, pothuajse nuk ekziston shoqëria civile si një medium, ku të përshfaqen direkt artikulime interesash sociale, që mund ta trandin procesin e korruptuar politik në vend. Natasha Kandiç, nga ana tjetër, është nga ato personazhe që ka ditur të ngrejë shpesh zërin, duke e bërë strukturën e saj, jo vetëm të nderuar, por edhe duke i dhënë dinamikë shoqërisë civile sllave. Ndërkohë që shoqëria jonë civile, në ditët tona pothuaj i ka mënjanuar qëllimet e vërteta të grupimeve sociale dhe i ka kthyer në garë luksi dhe trampolinë për në politikë, atje ku fitimi dhe jeta e bukur është normë. Kjo e bën të arsyeshme që të mos ketë zëra për Natashën dhe njerëz si ajo, përveçse, kuptohet, kur iniciohet ndonjë aktivitet nga ndonjë ambasadë e huaj, ku këta përfaqësues rendin me vrap. Ndërkohë kauzat janë aty, por përballja është e vështirë dhe ajo nuk pret që përfaqësuesit tanë të kollarisur ose zonjat sharmante të kthehen nga udhëtimet e panumërta jashtë vendit. Natasha e ka bërë, si gjithnjë punën e saj. Po ne?!

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: