Jose Mourinho dhe kapiteni Lorenzo Pellegri, përpara konferencës zyrtare në “Air Albania”, kanë folur për faqen zyrtare të UEFA-s. Si gjithnjë, Mou mbetet special në situata të tillë, nis ta luaj finalen kohë më parë:

“Mundësitë për të fituar në finale janë 50%-50%, por ne do të bëjmë çmos për të marrë 51%-49%. Puna që çon në finale gjatë disa muajve është baza për ato 90 ose 120 minuta. Dita e finales është dita e lojtarëve. Unë kam qenë me fat deri më tani duke fituar të gjitha finalet e mia evropiane, lojtarët e mi në momentin e së vërtetës kanë qenë gjithmonë aty“,-tha trajneri portugez për faqen e UEFA-s.

Më tej, duke folur për ndeshjen që do të luhet më 25 maj në “Air Albania”, portugezi theksoi se për të ajo është njësoj si finalja e Champions League.

“Conference League këtë sezon për ne është si Champions League. Ky është niveli në të cilin jemi, gara në të cilën po luajmë. Dhe klubi nuk ka pasur një mundësi të tillë për një kohë të gjatë. Finalja duhet të trajtohet si një ndeshje personale. Kjo sjell presion tension dhe ndjenjën e përgjegjësisë. Duhet të mendojmë vetëm për finalen dhe kundërshtarët me të cilët përballemi. Sa mirë do të ishte për qytetin, klubin dhe të gjithë ne nëse do ta fitonim ndeshjen.”-shtoi ai.

Në të njëjtën linjë është edhe kapiteni, Lorenzo Pellegrini:

“Është hera e parë që zbres në fushë për të fituar një sfidë të tillë që do të më dhuronte një trofe. Nuk do të japim 100% në fushë, do të japim 300% për të fituar këtë trofe”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb