Fatkeqësisht, në fjalorin e përditshëm, termi “Mesjetë”, ka një konotacion që nënkupton prapambetje dhe injorancë. Në të vërtetë, Mesjeta nuk është komplet e tillë.

Arsyeja se pse është krijuar ky perceptim, mbështetet mbi dy fakte: së pari, librat e shkruar në mesjetë, si për nga volumi, edhe nga përmbajtja, janë disa herë më pak sesa ato të një periudhe më parë, referuar antikitetit. Së dyti, në mesjetë, shumë drejtues politikë, mbretër, perandorë apo princër, i jepnin vetes së drejtën mbi jetën dhe vdekjen, duke e mbështetur këtë se ishte dëshira e Zotit. Shumë prej tyre e besonin se me të vërtetë ishin të zgjedhur prej Zotit.

Shqipëria i ka sot, fatkeqësisht, të dyja tiparet. Prodhon më pak libra, lexon më pak, shkruan më pak, studion më pak, përkthen më pak, është më pak e motivuar, por emigron më shumë. Së dyti, kjo pakësi lidhet me drejtimin politik të vendit. Në jo vetëm këto 7 vitet e qeverisjes Rama, është bërë kronike që individi vendoset mbi shtetin.

2019 u mbyll me paketën e ashtuquajtur “Antishpifje”, që nuk ishte asgjë më shumë sesa shmangie e gjykatave për t’i dhënë një autoritet një institucioni fantazmë, i cili është në varësi të qeverisë. Pra, qeveria kishte të drejtën me anë të përfaqësuesve të saj të vendoste çfarë ishte shpifje dhe çfarë ishte e vërtetë. Në çdo vend të botës, ekzekutivët janë institucionet më pak të mundshme për të shpallur veten si posedues të së vërtetës.

Kurse 2020 hyri me një marrëzi tjetër, e ashtuquajtura paketa “Anti-KÇK”, asgjë më shumë se një flluskë e radhës. Policë me kapuça, me maska, me armatime dhe me syze, me idenë se do luftojnë paratë e pista. Më shumë për reklamë, ose për t’i treguar Brukselit apo Parisit, se këtu po bëhet luftë njësoj si Policia meksikane dhe kolumbiane. Madje, qeveria duket sikur është gati të dalë në një konferencë dhe të deklarojë se ka qenë OFL, ato që eliminuan Eskobarin apo arrestuar El Çapo-n.

Shqipëria është vend i çudirave, asnjë bandit nuk fshihet, ata lëvizin kudo lirshëm. Madje, pa problem dalin edhe në përgjime si qytetarë “model” të angazhuar në procese të standardeve afrikane zgjedhore. Madje, edhe kur fshihen, e bëjnë jo prej frikës së shtetit, por se janë në konflikt me ndonjë sivëllanë e tyre në profesion

Në tentativë kjo për të treguar se po bën luftë ndaj krimit, qeveria ka harruar se në këto 7 vite s’ka bërë asgjë. Përveçse nuk ka bërë asgjë, ka dhe një duzinë zyrtarësh të lartë, që është detyruar t’i largojë pasi kanë dalë pjesë e këtij kontingjenti.

Në prezantimin e “anti-KÇK”-së, ministri i Brendshëm u bënte thirrje këtyre grupeve të tërhiqeshin nga rruga e tyre. A thua se këta ishin rebelë komunistë apo grupe separatiste, të cilët po rivalizojnë shtetin. Ata kurrë s’e kanë rivalizuar shtetin, me përjashtim të çmendurisë së 1997, ata përherë kanë bashkëpunuar me shtetin.

Një tipar tipik i shoqërive të pazhvilluara ose gjysmë të zhvilluara është se besojnë tek elementi i konspiracionit dhe i momentit të fundit. Tipare këto që ngjisnin më mirë se kurrë me qeverinë aktuale. Me të ardhur në pushtet, për çdo dështim, fajin e kishte paraardhësi i tij, që më pas fajin ia vunë opozitës, se kjo e fundit nuk dinte të bënte mirë opozitë dhe ndaj qeveria rrëshqiste në dështime. Më vonë, fajin e kishte media, se kjo nuk paraqiste sesi Shqipëria po ia kalonte edhe Danimarkës për nga zhvillimi, ndërkohë që kishte më shumë refugjatë sesa edhe Siria që ka 10 vite në një luftë civile. Ndërsa së fundmi ka gjetur edhe një lidhje konspiracioni. Fajin se pse Shqipërisë i ka ngecur ora, qeveria e ka gjetur shkakun diku midis forcave të “liga” të Europës nën drejtimin e Macronit dhe medias ndërkombëtare si “Bild” apo “RAI3”. Macron është i paaftë të lexojë dhe shikojë mrekullitë ku një kilometër rrugë shkon 20 milionë euro. Macron duhet të kuptojë që ata që vijnë në Francë për azil ekonomikë, për qeverinë janë thjesht turistë “ekonomikë”. Kurse janë turpe gazetareske, se pse njëra përkthen në anglisht përgjimet e KÇKve të qeverisë, kurse tjetra se dëshmon që Otranto është kthyer në autostradë të kanabisit e drogave të tjera.

“Anti-KÇK”, me siguri, do të përfundojë siç çdo operacion tjetër me disa të arrestuar për mospagim dritash apo ndotje akustike. Por mbase “anti-KÇK” duhet, si institucion, të dublojë punën e Prokurorisë dhe mbi Gjykatave. Si provë se tamporët e sukseseve të Reformës në Drejtësi janë thjesht në letër. E aq më shumë kur anëtarët e sistemit të ri, që do ishte sistem model edhe për vendet që sot janë në BE, është katandisur ku kërkojnë llogari për punë me rëndësi si kartolinat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb