Dy çështje themelore për ecurinë e procesit të legalizimit të emigrantëve shqiptarë në Greqi ka ngritur organizata “Përkrahje” (Arogi).

Me një kërkesë drejtuar ministrisë së Brendshme Greke dhe sekretarisë së përgjithshme të politikës për emigracionin, Fatos Malaj, ndermjetes kulturor prane Drejtorise se Emigracionit ne Administraten e Decentralizuar ketu ne Athine dhe kryetar i organizates per emigracionin “Perkrahje” ka theksuar se me ligjin e fundit, lejet për arsye të jashtëzakonshme u transformuan nga dy në tre-vjeçare. Vihet re se për arsye teknike, në mungesë të informimit të sistemit elektronik, kategoritë e këtyre lejeve është e pamundur të plotësohen nga nëpunësit, e si rrjedhim të lëshohen. Shtojmë se kategoria e lejeve të jashtëzakonshme përfshin një kategori të gjerë emigrantësh “të vjetër” në Greqi, që për mungesë dokumentash apo arsye të tjera, kanë humbur të drejtën e rinovimit të lejes së qëndrimit, sipas procedurës normale, por plotësojnë kriterin bazë të qëndrimit të vazhdueshëm 7-vjeçar në vend.

Sektori përkatës i drejtorisë për të huaj në Administratën e Decentralizuar është në pritje të verifikimit të problemit dhe zgjidhjes së ngërçit, që bllokon me qindra emigrantë pa dokumentacion, pas kaq vitesh pune e qëndrimi në Greqi.

Çështja e dytë që parashtrohet në kërkesë referohet në emigrantët shqiptarë që kanë aktivitet privat, të cilët tashmë pajisen me leje qëndrimi biometrike. Gjatë ndryshimit të të dhënave personale, veçanërisht të pasaportës, organi kopetent i Shërbimit Financiar Publik nuk është në gjendje të verifikojë lejen e qëndrimit të rivendosur në pasaportën e re, çfarë shkakton pengesë serioze në çdo transaksion. Si zgjidhet kjo? Organizata “Përkrahje” ka dhe zgjidhjen më të shpejtë e praktike, dërgesa e një udhëzimi nga ministria e Financave në sektorin përkatës të pranojë vërtetimin e zyrës së drejtorisë për të huajt për ndryshimin e pasaportës ose pajisjen me një vërtetim ku të referohen të dhënat e pasaportës së zëvendësuar dhe të pasaportës në fuqi.

Me shpresën se thirrja e organizatës do të dëgjohet, e problemet e paraqitura do të zgjidhen së shpejti, duke u ardhur në ndihmë sa emigrantëve, aq edhe nëpunësve në këtë sektor, që përballen me radhë të gjata e probleme të larmishme sa teknike aq dhe humane, Fatos Malaj referohet dhe në një tjetër incident të ditëve të fundit. Një grua shqiptare, e cila ka humbur bashkëshortin e ka mbetur e vetme me dy fëmijë, gjatë rinovimit të lejes së qëndrimit, tashmë në emrin e saj si kryefamiljare, është thirrur të paguajë tarifën 1000 euro. Gruaja e ve, deri në momentin që humbin bashkëshortin, kishte një leje qëndrimi familjare me koston minimale të 300 eurove. Pas fatkeqësisë, e mbetur e vetme me dy fëmijë të mitur në Greqi, vendin ku jeton shumë vite, duhet të paguajë një shumë kolosale, sidomos me të dhënat e sotme ekonomike në vend, sipas vendimeve të fundit për lejet e qëndrimit, marrë nga qeveria Syriza-Anel…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb