Qeveria shtron për konsultim publik ndryshimet e propozuara për një nga ligjet kryesore të reformës në drejtësi, atë për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ndryshimet e reja ligjore parashikojnë që Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe ai Gjyqësor, duhet të mblidhen menjëherë për pezullimin nga detyra të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët nuk e kanë kaluar procesin e vettingut, por abuzojnë me detyrën.

“Projektligji ka për qëllim ndalimin e abuzimit të magjistratit me sistemin e drejtësisë, kur vendimmarrjet e tyre kanë rezultuar haptazi në kundërshtim me ligjin”, thuhet në relacionin shpjegues. Ligji i miratuar në 2016, parashikonte që këshillat kishin 3 ditë afat për t’u mbledhur nga momenti kur Inspektori i Lartë i Drejtësisë paraqiste një kërkesë para tyre për pezullimin e magjistratëve.

Referuar ndryshimeve të propozuara, këshillat do të duhet të organizohen dhe mblidhen menjëherë për shqyrtimin e kërkesës për pezullimin e magjistratit, duke konkluduar me vendimmarrje konkrete për pranimin ose jo të kërkesës së pezullimit të paraqitur nga kryeinspektori i drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë shpjegon se iniciativa ligjore vjen në kuadër të Këshillimit Kombëtar për Shqipërinë, ku qytetarët dhanë mendime për çështje të ndryshme.

“Një ndër pyetjet drejtuar qytetarëve konsistonte në çështjen nëse duhen pezulluar nga detyra gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë kaluar ende procesin e vettingut, nëse vendimmarrjet e tyre rezultojnë haptazi në kundërshtim me ligjin.

Si bazë arsyetuese për përcaktimin e kësaj pyetjeje, është parashikuar se pavarësisht se vitet e fundit janë ndryshime legjislative për të luftuar fenomenin e njohur si KÇK, një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve në pritje të vettingut vazhdojnë të abuzojnë me pushtetin e drejtësisë”, thuhet në relacionin shpjegues të projektligjit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb