Kryeministri Edi Rama e cilësoi publikimin e pagave të mbi 600 mijë shqiptarëve një lëvizje të qëllimshme për të krijuar armiqësi mes njerëzve dhe qeverisë.

Në një konferencë për media, aludoi se një gjë e tillë mund të jetë bërë nga ish-kryeministri Sali Berisha, teksa tha se “t’ua bësh këtë njerëzve për të nxjerrë bravën nga çelësi apo për të futur çelësin në bravë, apo se je bërë xheloz se ke mbetur jashtë bravës e çelësit dhe hedh gurin tënd që mos të merret njeri me bravën e çelësin, apo çdo arsye tjetër, është vetëm një mundësi për t’iu treguar njerëzve se deri ku mund të shkojnë bravaxhinjtë, celësaxhinjtë”.

Rama: Qytetarët që janë të sekëlldisur nga dalja e pagave duhet të dinë si mund të ketë ndodhur. Përdorimi politik i kësaj ngjarjeje është në sytë e të gjithëve dhe ngjashmëria me ngjarjen e mëparshme është në sytë e të gjithëve. Unë kam dhe një ide pse nuk është përdorur publikisht deri kur kanë mbaruar zgjedhjet, por është një ide e imja, se pse përdoret tani. Që është patjetër për të krijuar konfuzion dhe për të nxitur armiqësi mes njerëzve dhe nesh, kjo është shumë e qartë. Por t’ua bësh këtë njerëzve për të nxjerrë bravën nga çelësi apo për të futur çelësin në bravë, apo se je bërë xheloz se ke mbetur jashtë bravës e çelësit dhe hedh gurin tënd që mos të merret njeri me bravën e çelësin, apo çdo arsye tjetër, është vetëm një mundësi për t’iu treguar njerëzve se deri ku mund të shkojnë bravaxhinjtë, çelësaxhinjtë. Nga pikëpamja konkrete, kjo është çështje e sistemit, ata që s’dinë të bëjnë gjë tjetër.

Ajo që na duhet neve është të sqarojmë opinionin, që këtu nuk bëhet fjalë për penetrim në sistemin e shërbimit, pasi ky është një sistem pune, jo shërbimi. Është sistem i brendshëm pune, jo sistem shërbimi që është penetruar. E dyta, insistoj që prokuroria duhet të bëjë një hetim tërësor dhe gjithëpërfshirës, për të gjithë ata që kanë lidhje me sistemin e pagave. Është bërë një hetim shumë i thellë për atë të parën dhe faktikisht ka treguar që gjëja është shumë e ngjashme me këtë të dytën, por kjo e dyta duhet hetuar.

Drejtoresha e AKSHI: Në çdo sistem, në varësi të nevojës që ka institucioni, që staf i caktuar të kryejë funksione të caktuara, përcaktohen lista të qarta të personave që duhet të aksesojnë sistemin dhe të nivelit të aksesit. AKSHI ka nevojë mbi personat që ju japin aksesin e duhur atyre, që janë staf i AKSHI. Kemi rreth 1 milion sulme që na ndodhin çdo muaj. Kemi pajisje fizike shumë të mirë që na mbron nga sulmi didos. Vazhdojnë sulmet e tjera, tentojnë në të gjitha mënyrat të kenë sukses, nuk përjashtohet mundësia edhe kur të kenë sukses. Detyra jonë është të bëjmë investimet e duhura dhe të përgatisim stafin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb