Albulena Haxhiu edhe një herë nuk ka arritur të zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës. Në votimin e fundit, ajo mori vetëm 57 vota pro, ndërsa 46 deputetë votuan kundër dhe tre abstenuan. Në seancë ishin të pranishëm gjithsej 117 deputetë.
Pas përfundimit të votimit, kryesuesi i seancës, Dehari, njoftoi për ndërprerjen e saj dhe bëri me dije se seanca do të bëhet të premten në orën 10:00. Para mbajtjes së seancës, Dehari kishte një takim konsultativ me përfaqësuesit e partive politike.
Procesi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit po zvarritet, pasi që nga 19 prilli, kur Lëvizja Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiun për këtë post ajo nuk ka arritur që ta ketë të sigurt këtë post. Edhe në raundet e mëparshme, rezultati i saj ka qenë i njëjtë – ka marrë 57 vota, shkruajnë mediat e Kosovës.
LVV ka thënë se nuk do e ndryshojë kandidaten për kryetare të parlamentit, ndërsa ka kërkuar marrëveshje politike për zgjedhjen e Albulena Haxhiut.
Subjektet politike PDK dhe LDK vazhdojnë që të kundërshtojnë Haxhiun për këtë post, ndërsa nga AAK kanë thënë se nëse LVV propozon Saranda Bogujevcin ose Shqipe Mehmeti Selimin, do të ndryshojnë qëndrim.
(BalkanWeb)