Nga: MENTOR KIKIA *
Ashtu siç edhe pritej, operacioni, shoqëruar edhe me arrestime, për ndalimin e vjedhjes së energjisë elektrike dhe detyrimin e të gjithë debitorëve të paguajnë ka prodhuar një problem të madh social dhe politik. Mijëra njerëz, kryesisht banorë të zonave informale apo fshatrave, kishin vite pa paguar energjinë elektrike dhe u revoltuan ndërsa u përballën me ndërprerjen “brutale” të saj. Në fakt, përpjekje për shkëputjen e lidhjeve të paligjshme janë bërë edhe më parë, por sapo punonjësi i CEZ-it largohej, njerëzit ngjiteshin sërish në shtylla dhe rilidhnin linjat ilegale. Por kur grupet e elektricistëve filluan të veprojnë bashkë me policinë dhe ata që vidhnin u shoqëruan në komisariate, atëherë kjo mori përmasa të tjera, duke shkaktuar edhe një indinjatë popullore. Përpos kësaj, ata që prej vitesh nuk kishin paguar energjinë, kur u përballën me shkëputjen ‘pa të drejtë’ rilidhjeje të energjisë, nisën të dalin në protesta duke thënë se nuk kemi mundësi t’i paguajmë. Këtë situatë shpërthyese sociale normalisht nuk mund ta linte pa e shfrytëzuar opozita, e cila në këtë vend ka qene gjithmonë e etur për njerëz të pakënaqur, që janë të gatshëm të dalin në rrugë e të bëjnë edhe më shumë sesa të bërtasin.
Në fakt çfarë po ndodh sot? Qeveria e ‘ka ndarë mendjen’ se kushdo që ka borxhe ndaj shtetit do t’i shlyejë, duke përjashtuar çdo mundësi faljeje. Ndërsa ka prodhuar një mekanizëm lehtësimi për t’i paguar me këste, për shkak se ka familje që kanë vite të tëra pa paguar. Opozita e kundërshton këtë mekanizëm dhe kërkon amnisti, për faljen e kamatëvonesave të faturave abuzive. Gjithashtu, opozita kërkon pezullimin e pagesës për faturat me ankesa për mbifaturim dhe mosndërprerjen e energjisë, si dhe ngritjen e një strukture për verifikim të shpejtë të ankesave për mbifaturim.
Ne tashmë e dimë, se CEZ për të siguruar bilancet e veta vendosi një marrëdhënie, ku një pjesë e konsumatorëve vidhnin CEZ-in, ndërsa CEZ-i vidhte ata që paguanin. Nuk dimë nëse ka apo jo mundësi teknike verifikimi i faturave abuzive, por doja të ndaleshim te fjala falje për kamatëvonesat.
Ne nuk e dimë se si do të sillej opozita po të ishte në qeveri, në këto kushte. Por ne mund të kujtojmë fare mirë se kanë qenë pikërisht amnistitë që politika në pushtet prodhonte për debitorët e energjisë (jo vetëm për kamatëvonesat) që e stimuluan në mënyrë sistematike mospagimin e energjisë dhe padyshim sot asnjë familje që jeton nën nivelin mesatar nuk mund të paguajë njëherësh energjinë e 5 apo 15 viteve që ka konsumuar.
Pra, ka qenë pikërisht politika ajo që ka përdorur mëshirën për disa, në kurriz të të tjerëve, të atyre që paguanin, për qëllime elektorale. Ka qenë ajo që në këtë mënyrë ka blerë votën, pa qenë nevoja të shkojnë derë më derë sekserët elektoralë të shpërndajë kacidhet e turpshme të demokracisë, por duke u falur pagesat e energjisë. Në këtë mënyrë, qeveritë kanë ndëshkuar financat publike, kanë fyer qytetarët e ndershëm që paguanin, pavarësisht varfërisë, dhe ka stimuluar më tej ata që nuk paguanin, duke pritur amnistinë e radhës. Kjo praktikë i ka shërbyer jo vetëm instalimit të një kulture vjedhjeje të vazhdueshme, por edhe edukimit të shoqërisë me idenë se malli i shtetit është i askujt. Kjo praktikë i ka shërbyer edhe korruptimit të sistemit politik, pasi ka deformuar demokracinë, duke blerë votat me paratë e taksapaguesve.
Duke qëndruar në këtë të fundit, pra blerjes së votës, amnistitë për energjinë e papaguar ishin e njëjta gjë me atë që bënin dhe bëjnë edhe sot kandidatët për deputet apo për kryetar bashkie. Të ardhur përgjithësisht nga bota e biznesit, shumica e tyre gjatë fushatës elektorale shkojnë në dyqanet e qyteteve dhe fshatrave dhe pasi paguajnë, grisnin në mënyrë demonstrative fletoret e dyqaneve ku janë shënuar borxhet e banorëve, duke i çliruar ata nga detyrimi ndaj pronarit të dyqanit. Por në këtë rast korruptimi i sistemit politik dhe deformimi i demokracisë bëhet me paratë e kandidatit dhe jo paratë e shtetit, si në rastin e debitorëve të energjisë.
Sot jemi në kushtet kur Edi Rama ka vendosur të marrë përsipër koston politike të këtij procesi dhe ka deklaruar prerë se nuk do të ketë asnjë amnisti. Deklaratat e Ramës, ndërsa përballen me fytyrat e njerëzve të varfër që shfaqen para kamerave, duken vërtet të pamëshirshme. “Kriminale” – e cilësoi PD mungesën e mëshirës së kryeministrit. Përtej retorikës politike, e cila si majtas edhe djathtas ka aktruar gjithmonë me imazhin e fukarallëkut, pyetja e fortë është se çfarë duhet të bëhet realisht. A duhet qeveria të vërë dorën në zemër dhe të amnistojë borxhlinjtë e ta nisë nga zero tashmë marrëdhënien e tyre me OSHEE, apo të vazhdojë t’i qëndrojë vendimit të pagesës me çdo kusht?
Qëndrimet mund të jenë të ndryshme që lidhen dhe nuk lidhen me humanizmin. Por, nëse do të dëgjohet opozita për t’ua falur, atëherë do të vazhdojë zinxhiri i mëshirës elektorale dhe sërish ata që janë mësuar të mos paguajnë do të demotivohen të paguajnë, sepse “pas katër vjetësh mund të vijnë këta tanët në pushtet”. Po të falen sërish, ata që përfitojnë do të shndërrohen në votues, nuk ka rëndësi në do votojnë qeverinë që i fali apo opozitën që e detyroi qeverinë t’i falë, por do të votojnë falë faljes, pra do të jemi sërish në kushtet e blerjes së votës.
Në fund të fundit, nëse ata që s’kanë paguar do të falen, çdo të bëjë ai që mund të ketë qenë edhe më i varfër se ata, por që ka paguar rregullisht? A ka të drejtë të revoltohet ai pas kësaj? Pikërisht për këto arsye nuk duhet të ketë amnisti. Qeveria mund të gjejë të gjitha mekanizmat e mundshëm socialë, qoftë edhe duke ia dhënë me një dorë e duke ia marrë me dorën tjetër ato para, veç amnisti nuk duhet të ketë. I duhet dhënë fund pikërisht mekanizmit të përdorimit të varfërisë si mjet elektoral. I duhet dhënë fund përdorimit të faturave të energjisë dhe defterëve të dyqaneve si mjet për të blerë votën dhe pushtetin.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: