Është një zhvillim madhor që SPAK ka filluar të hetojë penalisht akuza dhe padi ndaj zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të lartë. Një e tillë është padia publike ish deputetit Halit Valteri ndaj ish kryetarit të LSI-së, Ilir Meta për mosdeklarim të ardhurash e burimesh në kontraktimin e një kompanie lobimi në SHBA. Reagimi i Metës ndaj këtij njoftimi, duke përdorur sharje të rrugës ndaj kreut të SPAK, vjen si një shfrim në inercinë e raporteve të deformuara të pushteteve në Shqipëri përgjatë shumë viteve ku politikanët e kanë parë drejtësinë te këmbët e tyre.

Kupa e pritshmërive të publikut shqiptar për të luftuar pandëshkueshmërinë në sferat e larta është mbushur e zbrazur disa herë gjatë tri dekadave të fundit. Nëpër një varg të pambaruar “premtimesh”, “përbetimesh”, “reformash” e “nismash ligjore” të reklamuara si të fjalës së fundit. Por që në dritën e rezultateve kanë rezultuar të jenë burime të fuqishme iluzionesh e mashtrimesh djallëzore që vetëm e kanë përforcuar pandëshkueshmërinë.

Pas ngritjes së mundimshme të organeve të Drejtësisë së re me mbështetje të fuqishme amerikane- europiane dhe shenjave të para të goditjes së ligjit në nivel ministrash e deputetësh të partisë në pushtet, shpresat për ndëshkimin e së keqes në Shqipëri janë ringjallur. Por shihet se ka një konfuzion të madh në publik në lidhje me mjetet dhe rrugët për t’ia arritur qëllimit. Futen në një thes lufta me deklarata politike, lufta me mbështetës e militantë partiakë në sheshe, lufta me ligje speciale, ndëshkimi sipas ligjit në aulën e drejtësisë.

Denoncimet nga foltoret e partive kanë vendin dhe rëndësinë e tyre. Por denoncimet në vetvete, që nuk kalojnë në filtrin e verifikimit dhe ndëshkimit ligjor, nuk e kanë luftuar e nuk e luftojnë korrupsionin. Ato janë kolona zanore e tranzicionit shumëvjeçar që duke mbetur në nivel shantazhi ndaj palës tjetër, mund të paditet se e ka dëmtuar drejtësinë, duke i marrë skenën, duke i qëndruar përsipër, duke e zhurmuar.

Thirrja e militantëve për tu mbrojtur nga hetimet e SPAK apo shpalljet non grata nga SHBA, me justifikimin se po thirren në protestë për hallet e tyre , nuk e lufton, por e stimulon korrupsionin, duke i keqpërdorur militantët në rolin e murit kundër transparencës dhe drejtësisë. Pas kaq shumë vjetësh, pasi e kanë konsumuar vetën dhe “magjinë” e tyre në postet më të larta, politikanët që janë në hetim nga SPAK, siç është Ilir Meta, apo që janë shpallur non gratta nga SHBA dhe Britania e Madhe, siç është Berisha, do të duhej të zbardhnin e çliroheshin nga akuzat në rrugë institucionale. Protestat shkrepin dhe fitojnë vlerë publike kur e kanë barutin të thatë, siç thotë një shprehje e popullit.

Në rezultantet e tyre, pavarësisht qëllimeve të mira, nismat e të ashtuquajturit “pastrim” të politikës me ligje speciale antikushtetuese dhe antidemokratike e kanë inkurajuar e lartësuar në majat më të larta korrupsionin dhe abuzimet e zyrtarëve. Me fjalë të tjera i kanë bërë edhe më pis qeverisjet dhe jetën publike. Si për të vërtetuar thënien e njohur të Shën Agustinit se nuk ka më të papastër se puritanët. Vlerat dhe dëmet që kanë sjellë, kundërfaktet në raport me qëllimet duhen studiuar e vlerësuar saktë. Jo nga amatorë të retorikës. Nga profesionistë të fushës. Mbi këtë bazë edhe qëndrimi ndaj tyre.

Njerëzit duhet të kuptojnë se këtu dikush i ngatërron me qëllim stacionet. E gjithë kjo me një qëllim: zhurmimin e asaj që është e reja, e paprovuara, zgjidhja reale në shtetin ligjor për nxjerrjen e vendit nga xhungla e sundimit të bajraktarëve dhe bandave politike. Që është drejtësia.

I vetmi ndëshkim i drejtë dhe efikas i së keqes, i krimeve të komunizmit, i krimeve të demokracisë, i korrupsionit dhe abuzimeve është ai që vjen nga aula e drejtësisë në një proces të hapur ku verdikti përfundimtar del nga ndërveprimi i akuzës, mbrojtjes dhe gjykatës që ka fjalën e fundit.

Akuzat që zbardhen nga drejtësia i bëjnë mirë shoqërisë qoftë kur i akuzuari del i pafajshëm, qoftë kur dënohet sipas ligjit për fajin e provuar. Akuzat që u lihen shamatorëve publike vetëm e helmojnë shoqërinë. Këtë e ka thënë herët Nikolla Makiaveli dhe është vërtetuar me qindra mijëra herë në histori. Vërtetohet në ditët tona në Shqipëri. Shoqëria shqiptare është e helmuar rëndë duke bluar e stërbluar akuza që nuk zbardhen kurrë në organet e drejtësisë.

Është një zhvillim madhor që SPAK ka filluar të hetojë penalisht akuza dhe padi ndaj zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të lartë. Një e tillë është padia publike ish deputetit Halit Valteri ndaj ish kryetarit të LSI-së, Ilir Meta për mosdeklarim të ardhurash e burimesh në kontraktimin e një kompanie lobimi në SHBA. Reagimi i Metës ndaj këtij njoftimi, duke përdorur sharje të rrugës ndaj kreut të SPAK, vjen si një shfrim në inercinë e raporteve të deformuara të pushteteve në Shqipëri përgjatë shumë viteve ku politikanët e kanë parë drejtësinë te këmbët e tyre.

Falë SHBA-ve që po mbajnë premtimin për vendosjen e sundimit të ligjit në vendin e vogël mik e aleat, por edhe falë angazhimit me një mendje të re të një numri gjithnjë e më të madh prokurorësh e gjyqtarësh në këtë mision, shto këtu ndërgjegjësimin në rritje të publikut, historia e nënvendosjes së pushtetit të drejtësisë ndaj pushtetit politik po mbaron dhe nuk kthehet më prapa. Ndarja demokratike e pushteteve, një parim themelor i demokracisë, është rruga e re që po merr Shqipëria. Të tjerat janë tollovitje në xhungël.

Deri tani SPAK dhe kreu i tij ,zoti Kraja, janë kritikuar për hapa të ndrojtur, për vonesa dhe ngadalësi. SPAK ka çuar në pranga dy ish ministra dhe një deputet të partisë në pushtet, çfarë nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë. Jo pa të drejtë, kjo nuk është konsideruar e mjaftueshme. Në këtë hulli një pjesë e opozitës e ka quajtur SPAK-un Aspak-u. Tani që “Aspaku” vendosi të hetojë më lart se në nivel deputeti e sulmojnë me të gjitha bateritë. Veprimet e SPAK nuk mund të gjykohen në optikën se sa preken interesat e mia e sa dëmtohen të palës kundërshtare. Kjo qasje është hipokrite. Hetimi i zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të lartë duhet mbështetur pavarësisht ngjyrës politike. Vetë zyrtarët në hetim duhet të japin shembullin. Është a nuk është tendencioz hetimi, ka apo nuk ka prapavijë politike, këtë do ta tregojë hetimi, gjykimi. Problemi i Shqipërisë nuk është se drejtësia e ka tepruar me hetimin dhe ndëshkimin e politikaneve të lartë. Është e kundërta. I ka lënë të livadhisin siç kanë dashur. E sigurt është një gjë. Në Shqipëri është vështirë të dënohesh duke qenë i fajshëm e jo më i pafajshëm. Këtë histori duhet të ndryshojmë.

Hetimet e SPAK, ma merr mendja, nuk ndalen më nga reagimet , sulmet, sharjet dhe ofendimet e të hetuarve. Por e mira do të ishte që vetë politikanët subjekte të hetimit të vendosin më në fund një standard normal të përballjes me drejtësinë. Kështu do të linin një gjurmë dhe do të kompensonin sadopak poshtërimin që i kanë bërë asaj ndër vite./Liberale.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: