TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar protestat e mbajtura kundër rritjes së çmimeve, duke kujtuar luftën në Ukrainë, që sipas tij është një prej shkaktarëve. Rama sqaroi paketën sociale, për të cilën tha se gjysmë milioni njerëz do marrin për 3 muajt e ardhshëm 30 mijë lekëshin.

“Gjëja që kemi quajtur më të rëndësishme, më jetike për të mbajtur kohezionin social për të mos lejuar që kategoritë më të prekshme, të goditen është furnizimi me energji. Është mbajtja e një situate normale në furnizimin me energji në anormalitet. Nuk ka ndodhur. Që 1 kW/h të paguhet 9.5 lekë dhe të blihet 61 lekë. Prandaj në paketën e djeshme kemi futur dhe 200 mln dollarë të reja që nuk janë për shpenzime të tjera, por vetëm për të paguar pjesën më të madhe të faturës për 726 mijë familje dhe për 95 mijë biznese të vogël. Këtu jemi në një biznes të madh dhe ka më shumë kosto të energjisë, por edhe aty nuk kemi lejuar të shkojë në koston reale sepse do ishte falimentim komplet i biznesit. Më vjen shumë mirë që kemi mundësi sot që t’i përgjigjemi pjesës së kësaj shoqërie, e cila meriton të mbrohet e para. Kemi vazhduar përsëri mbrëmjen e djeshme, kemi shtuar disa kalkulime të tjera dhe do të kalojmë gjysmë milioni njerëz që do të përfitojnë nga mbështetja. Gjysmë milioni njerëz që do të marrin për 3 muajt e ardhshëm 30 mijë lekëshin që kompenson rritjen e çmimeve. Rritja e çmimeve është e përllogaritur në bazë të çmimeve të mëparshme dhe në bazë të konsumit dhe përllogaritja e INSTAT për këtë rritje është 7% që i bie në një mesatare 25 mijë lekë të vjetra i shtohet një familje për çmimet e shportës, për familje që nuk janë të ardhura të larta dhe prandaj ne do shtojmë 30 mijë lekë direkt në dorë që pavarësisht rritjes së çmimeve familjet të blejnë ushqimet e shportës, të mos iu mungojë asnjë lekë për të blerë ushqimet e shportës”, tha Rama.

Sipas tij, këtu janë kategori specifike pensionistësh dhe nga 630 mijë pensionistë, shkojmë në mbi 400 mijë pensionistë të cilët do të marrin këtë bonus nga paketa e rezistencës, pastaj kemi të gjitha familjet në ndihmë ekonomike. “Kemi kategoritë e invalidëve, paraplegjikëve, të të verbërve. Këtë bëjmë ne dhe këtë duhet të bëjmë ne. Nuk jemi këtu për të ulur naftën për ata që duan të furnizojnë fuoristradat X5.

Për turpin e dheut ndërsa bota del në protesta për ata që kanë bombat mbi kokë, për ata që vdesin e shkatërrohen atje, këtu janë disa që dalin me makina X5 dhe bëjnë protesta me drita iPhone-sh. Nuk kanë pensionistët drita iPhone-sh dhe nuk kanë vetura për të mbushur. Nuk janë pensionistët që marrin autobusin apo furgonin ndotës të mjedisit. Mjedisin e ndot djegia e karburanteve, prandaj ata që kanë mundësi të paguajnë më shumë, do paguajnë më shumë. I vetmi vend i NATO-s, i Europës, i botës, kriza nga lufta ka shkuar deri në Australi. I vetmi vend i botës që del e bën protesta për llogari të disa njerëzve. Ndërkohë që ne jemi këtu dhe për transportin tuaj. Ju nuk vini këtu me vetura, por me furgonë, autobusë, por ka shumë e shumë si ju që marrin autobusin dhe ne jemi këtu që të mos ju rritet çmimi i biletës. Ndaj kemi vendosur 5 mln dollarë për të paguar diferencën e çmimit të biletës dhe ju nuk e ndieni fare rritjen. Ne nuk jemi këtu që të ulim taksën e naftës dhe të rrisim çmimin e energjisë sepse çmimi i energjisë i godet të gjithë, por as të rrisim taksën mbi rrogën tuaj. Sepse që t’i ulim atje, duhet t’i rrisim diku. Llogaritë nuk bëhen mbi imagjinatë”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: