Mjeku Tasim Demi, veprimtar i çështjes çame ka qenë një nga pjesëtarët e komunitetit çam, i cili ka rrëfyer historinë e dhimbshme të familjes së tij.

Ai tha se kishte lindur në Paramithi dhe më pas kishte ardhur në Shqipëri për ta vizituar vendlindjen në moshën 60-vjeçare. Disa herë fjala i është shkëputur për shkak të lotëve, teksa kujtonte atë që kishte përjetuar apo dhe atë që i kishin treguar nëna dhe të afërmit.

“Mirëdita të gjithëve! Para disa ditësh m’u tha që do bëhej ky Kuvend dhe unë kisha mundësinë të thosha disa fjalë. Me thënë të drejtën unë e mora me shumë emocion dhe vendosa që të shkruaj disa rreshta për të marrë pjesë. Thashë që edhe nëse do më dridhet zëri, edhe nëse do të ketë ndonjë lot prapë do të jem bashkë me njerëzit e mi. Nuk është ndonjë turp dhe në moshën time që edhe të qash. Në këtë sallë po hyj për herë të parë dhe meqë më jepet rasti të flas për atë që ndiej me shpirt qysh fëmijë, (qan)
për vendin bosh të tim ati në kujtesën time dhe të asaj pjese të familjes që u shfaros në atë ditë të kobshme të 44-ës, për shpresën e gjetjes së drejtësisë për ta, për njohjen e çështjes çame nga të gjithë, për zgjidhjen e saj njëherë e mirë.
Unë kam lindur në Paramithi, vetëm 2 muaj para se t’i shpëtoja dorës mizore që theri, dogji foshnjat, të rritur, mes tyre tim atë 27-vjeçar (qan), vëllezërit e tij, gjyshin, tezen e kushërinj të shumtë nga të gjitha moshat. Me qindra të tjerë u dërguan të vdisnin burgjeve e më vonë rrugëve të dëbuar nga shtëpia, nga atdheu i vet. Pas këtyre masakrave u hap një rrugë tjetër që gratë, fëmijët dhe pleqtë që kishin mbetur i mblodhën në shtëpinë burg, që ishte një shtëpi e madhe e Muhedinëve, ku ishin më shumë se 200 veta, gra dhe fëmijë dhe me një ushqim siç mund të ishte në atë kohë, ku vazhduan vdekjet e fëmijëve dhe të pleqve dhe në shtëpinë burg që ishte në Paramithi. Jam ushqyer dhe kam fjetur nga tregimet gjithë ngashërim të nënës sime dhe të të afërmve të mbijetuar që i kishin ende parasysh skenat e tmerrit. Nga kujtesa e të tjerëve mësova të ndërtoj pak nga pak edhe figurën e tim ai, fotografinë e të cilit e pashë për herë të parë në moshën 8-vjeçare. Pikërisht atëherë nisa të kuptoj mirë çfarë kishte ndodhur, veç urrejtjes prej fëmije fillova të thurja ëndrra për të parë shtëpinë dhe vendin që kishim lënë pas. Dëshira e vizitës u realizua shumë vite më vonë. Isha rreth të 60-ve kur mbërrita të shoh Parimithinë, atë vend aq të dashur dhe të hidhur. Aty nuk kishte më shenja të shtëpisë sime, por e ndjeva gjurmën, zërin dhe afërsinë”, rrëfeu i moshuari.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: