Kandidatja e LSI në Durrës, e renditur e 8-a në listë, Rexhina Leka, ishte e ftuar këtë mëngjes në emisionin “Koha për t’u zgjuar”, në News24, ku renditi arsyet pse, sipas saj, durrsakët duhet ta votojnë më 25 prill. Leka u shpreh se shqiptarët kanë nevojë për punë, jo për llafe, dhe LSI do të punojë e do të rrisë punësimin për të rinjtë.

Sa i takon faktit që ndodhet në të njëjtën renditje me kryeministrin Edi Rama, në Durrës, kandidatja e LSI u shpreh se “Mes numrit tim 8 dhe numrit të Ramës 8 është fakti që unë jam një e re dhe do të qeveris ndryshe nga ai, jam e bindur për këtë. Ai duke bërë propagandë mendon se njerëzit do ta besojnë, por ka ardhur koha që njerëzit nuk e besojnë më. Në një mënyrë apo në një tjetër, njerëzit do ja marrin ato para dhe nuk kanë për ta votuar”.

Më tej, ajo foli për programin e LSI, ndërsa sulmoi mazhorancën, duke thënë se ata kanë rritur varfërinë, papunësinë dhe borxhin publik.

“Ne do të rrisim punësimin. Misioni im është t’i shërbej vendit, për gjithë të rinjtë kryesisht, që po largohen çdo ditë e më shumë. Rilindja duhet të largohet, nuk e ka bërë detyrën e saj siç duhet. Është rritur varfëria në shkallë vendi, borxhi është rritur në 97%, dhe shumë e shumë të tjera, për të cilat Rilindja duhet të largohet. Ne duhet të mendojmë si të punojmë. E mira është të punohet dhe jo të flitet. Unë nuk do kisha kurrë dëshirë të hiqja nga punë njerëz në administratë. Edhe nëse opozita e bashkuar vjen në pushtet, kjo nuk do të thotë që do të heqim nga puna socialistët, sepse ai është i aftë ta bëjë atë punë. Ne jemi shumë të mirëkoordinuar, nuk duam t’ia dimë fare çfarë thonë kundërshtarët. Ne nuk do të biem pre e provokimeve. Ne do të jemi në rrugën e drejtë dhe jo të bëjmë marifete, siç po bën Rilindja. Bilanci i Rilindjes këtë herë është i frikshëm dhe tragjik. Kemi rritjen e varfërisë, të papunësisë, ka shumë njerëz që në fakt shohin bukën. Mendoj pra se janë me një bilanc tragjik dhe jo të mirë. Ne kemi shumë shqiptarë të papunë, ndërsa kryeministri doli e tha se do marrë punëtorë nga Bangladeshi. Ky është një nga gabimet që bëri, ai bëri vetë thirrje për të larguar shqiptarët. Një qeverisje e mirë është një qeverisje e popullit, nga populli dhe për popullin. Nuk duhet të mendojmë të zhvasim, por si të punojmë fort, si t’i kënaqim njerëzit, si të rrisim punësimin. Jo ta bëjmë vendin diktaturë, siç jemi për momentin”, u shpreh kandidatja e LSI.

E pyetur nga moderatori Bashkim Hoxha pse duhet ta votojnë durrsakët, kandidatja për deputete u shpreh se “Si një figurë e re politike, e papërfshirë më parë në politikë, dhe si një njeri që nuk merr shumë vesh nga politika, mendoj se do qeveris në një mënyrë që i gjithë populli të jetë i kënaqur, për të punuar për të bërë diçka të mirë për qytetarët e Durrësit dhe gjithë shqiptarët”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb