SHBA– Ish-kryepeshkopi i Uashingtonit Theodore McCarrick, i cili përballet me akuza për abuzime seksuale, dha dorëheqjen nga pozita e tij si kardinal. Këtë njoftim e dha Vatikani përmes një deklarate, ku thuhej se Papa Françesku e ka pranuar dorëheqjen.

McCarrick, një prej figurave më të shquara të Kishës Katolike, akuzohej për ngacmimin seksual të një adoleshenti thuajse 50 vjet më parë, kur ai ishte prift në Nju Jork. Zyrtarët e Kishës Amerikane muajin e kaluar morën vendimin se akuzat e ngritura ndaj kardinalit ishin të besueshme.

Për kardinalin Theodore McCarrick janë raportuar edhe raste të tjera për ngacmime seksuale gjatë disa dekadave, shkruan “voa”.

Prifti 88-vjeçar është kleriku më i lartë i Kishës Katolike që i hiqet titulli, për shkak të akuzave për abuzime seksuale.

Rasti i tij ishte mjaft shokues, ngaqë ai ishte njeri shumë i respektuar dhe ambasador për një kohë të gjatë i Kishës Katolike në Uashington, një njeri tepër i besuar në vite nga Papët dhe presidentët amerikanë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb