Flamur Noka si ish-ministër i brendshëm qeverinë e PD ka komentuar përballjen e armatosur në Elbasan mes të moshuarit Lefter Zhidru dhe RENEA-s.

I ftuar në emisionin ‘’Kjo Javë’’ të Nisida Tufës në News24, Noka e etiketon ngjarjen si ‘’Një plak me neurozë kundër një shteti karagjoz’’ duke theksuar se 71-vjeçari i bëri zbor për 5 orë uniformave blu.

Noka ndërkohë thotë se imagjinoni sikur të ishte jo vetëm një i moshuar por një bandë kriminale duke rezistuar aty.

Gjithsesi për ish-ministrin ngjarja ishte qesharake dhe sipas tij Policia e përdori për show politik që të mbulonte paaftësitë e saj.

”Është të them të drejtën, tregon gjendjen e këtij shteti. Një 71-vjeçar dikur mbajti peng një Polici të tërë, nga i madhi tek i volgi, për gjithë orë të ditës.

Po mendoni sikur larg qoftë të ishin një bandë kriminale. Nuk menaxhuan dot një plak.

Në kufijtë e qesharakes. Për të vajtuar gjendjen e Policisë. Keni parë ju që të ketë një përqëndrim të tillë ndaj një bande në këtë vend.

Gjeja më e thjeshtë është, e mbani mend tek Rruga e Trenit, që i futën gaz lotsjellës familjeve, dolën gratë me fëmijë të llaftarisura.

Duhej vrarë një plak për të bërë terror tek qytetarët. Ishte një shoë politik për të fshehur paaftësinë e Policisë.

Ministria e Brendshme është një kukull, kurse Policia e Shtetit është në një mision politik kundër opozitës. Rilindja krimin e konsideron partner. Dosja 184 dhe 339 qartësisht e demonstrojnë. Partneritet për të luftuar opozitën, për të vjedhur vota.”- tha Noka.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb