Shqipëria e 19 vjeçarëve e drejtuar nga trajneri Armando Cungu ka luajtur pasditen e sotme ndeshjen e parë vëllazërore me Kosovën në Egnatia Arena, një miqësore në kuadër të grumbullimit që kuqezinjtë po zhvillojnë si përgatitje për turneun eliminator të UEFA-s që do të zhvillohet në muajin shtator në Belgjikë ku skuadra e Cungut do të luajë ndaj vendasve, Spanjës dhe Rusisë.

Ndeshjen e sotme skuadra e filloi me këtë formacion: Dema, Hysaj, Abazaj, Azizi, Betezelis, Ndoci, Shkurti, Daka, Lika , Torraj, Toma. Fraksioni i parë i lojës ishte i barabartë në lojë, me të dy skuadrat që tentuan shumë herë ti afrohen portave respektive për të gjetur avantazhin, avantazh që e gjeti Kosova në minutën e 28-të me Eridon Malokun. Ky gol vendosi dhe pjesën e parë që u mbyll 0-1.

Në fillimin e pjesës së dytë Kosova gjeti dhe golin e dytë, minutën e 55-të me Rinor Toverlanin. Kuqezinjtë morën kontrollin e lojës në dorë dhe ju afruan shumë herë golit që do të rihapte ndeshjen por pa arritur të finalizojnë me sukses.

Ky test i parë miqësor i ka vlejtur shumë trajnerit Cungu për të parë në aksion shumë lojtarë të rinj që i janë bashkuar për herë të parë skuadrës. Më datë 28 mars do të luhet testi i dytë, përsëri në Egnatia Arena të Rrogozhinës.

Shqipëri U19 – Kosovë U19   0-2

Golat: Maloku 28′, Toverlani 55′

Shqipëria U-19: Dema, Hysaj, Abazaj, Azizi, Betezelis, Ndoci, Shkurti, Daka, Lika , Torraj, Toma. U aktivizuan: Zabeli, Taleb, Tozaj, Topi, Gjoka, Nako, Musaj, Kurti.

Kosova U-19: Shala, Mehaj, Avdimetaj, Rexhepi, Lubishtani, Toverlani, Ajvazi, Haskaj, Hasani, Rashica, Maloku.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb