Në studion e emisionit me “Zemër të Hapur” të gazetares Evis Ahmeti u trajtua historia e dhimbshme e një 32-vjeçarje, e cila është detyruar të braktisë fëmijët për arsye ekonomike.

Dëshmia e 32-vjeçares

“Unë kam kaluar një fëmijëri të vështirë, pasi që 9 vjeçe kam gatuar dhe kam mbajtur gjithë familjen. Kur mbusha 17-vjeç babi më fejoi me një person që sot unë kam dy fëmijë me të. Ishte kushërira e babit që u bë shkuese. Mirëpo që në momentet e para kuptova se kisha të bëja me një njeri që do më dhunonte. Ne u martuam edhe pse nuk është se e kisha mbështetur këtë gjë. Por pas martesës erdhi dhe dhuna, jam dhunuar disa herë dhe unë dhe fëmijët, ndihem fajtore për fëmijët se nuk i kam mbrojtur dot nga dhuna e tij. Hera e fundit ka qenë sa dolëm nga rajoni policisë ku shkova e denoncova, sapo mbërritëm në shtëpi ai filloi të ushtronte dhunë përsëri. E kisha denoncuar disa herë por ai vazhdonte sërish.

Ai kishte momente që nuk përmbante dot veten, ai ushtronte dhunë edhe ndaj prindërve të tij, nuk mund të them asgjë nëse ai mund të kishte probleme të shëndetit mendor. Ai vetëm një herë është penduar dhe më tha që e di që të kam bërë keq por ti më bënë që të rrah. Por mirë mua i thosha por fëmijët pse i rreh. Zhurmat dhe të qarat e fëmijëve e nevrikosnin. Ai na jepte urdhër për të bërë gjërat në shtëpi, edhe një herë kunati ishte në shtëpi dhe ai u debatua me të dhe plasi sherri. Unë u largova nga ajo martesë por nuk kam berë divorc, pasi nuk kisha mundësi ekonomike, edhe babi im nuk dëshironte që ta bëja se kishte frikë mos unë kthehesha përsëri. Mirëpo halla ime më njohu me shkuesi me dikë tjetër, qëndrova 4 vite në bashkëjetesë dhe erdhi në jetë një fëmijë. Mirëpo unë gjatë kësaj bashkëjetesë nuk pash asnjë dritë jeshile ndaj asaj që doja të bashkohesha me fëmijët e mi. Edhe pse shkova të jetoja jashtë me të nuk arrita dot të vazhdoja bashkëjetesën me të. Fëmijët e mi nga martesa e parë jetojnë me ish vjehrrin dhe ish vjehrrën , sepse unë nuk kisha mundësi ekonomike, por edhe babai i tyre i braktisi dhe u largua në Greqi. Fëmijët shkuan në shtëpinë e gjyshërve. Unë isha në bashkëjetesë jashtë shtetit, por nuk i mora dot fëmijët sepse ai nuk më jepte firmën për ti marr fëmijët. Ai ka dy vite që nuk kujdeset për fëmijët. Unë jam mirënjohëse për vjehrrin tim pasi është kujdesur shumë për ata fëmijë”.

Dëshmia e vjehrrit të 32-vjeçares

“Jeta e fëmijëve sot është e mirë, nënën nuk e kam ndaluar kurrë të vijë t’i takojë. Fëmijët janë në një moshë që pyeten dhe vendosin vet. Nëna është nënë dhe babai është baba. Nëse fëmijët do dëshirojnë të shkojnë me nënën le të shkojnë. Djali im nuk flet shumë në telefon, unë kam dy vite që nuk flas me djalin, dhe ai nuk është kujdesur ka dy vite. Unë do mbështes vendimin e fëmijëve. E para është nëna, pastaj babai. Nusja ime nuk ka asgjë me mua e kishte çdo gjë me burrin e saj. Ne jemi me pensione dhe kushtet tona janë të vështira. Unë fëmijët do t’i mbaj dhe nuk do t’i nxjerr në rrugë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb