Trajneri Edy Reja dhe portieri i kombëtares Etrit Berisha kanë folur në një konferencë për shtyp një ditë para sfidës me Kazakistanin për Ligën e Kombeve.

Reja fillimisht pranon se me Lituaninë ndodhi gabim pasi nuk e mendonte se do humbiste Shqipëria të ndeshje por e cilëson rezultatin 0-1 të drejtë. Sa i përket sfidës së nesërme tekniku italian tha prerazi se nesër s’duhet të ketë humbje dhe i intereson shumë loja e mirë.

FJALA E EDY REJA

Si kanë qenë kritikat pas humbjes me Lituaninë? A është ndeshja kundër Kazakistanit një mundësi për të ndryshuar faqe?

 

Ishte një moment i vështirë sepse erdhëm pas fitores me Bjellorusinë. Ishim në gjende të mirë fizike dhe psikologjike. Nuk e mendoja se do të humbisnim, gabimi ndodhi. Mendoj se rezultati i drejtë me Lituaninë duhej të ishte barazimi për atë dhamë në fushë. Asgjë nuk është ndërlikuar siç e tha Berisha, jemi të gjitha ekipet me nga 3 pikë. Të gjithë duam të kualifikohemi. Jemi përgatitur fort gjatë kësaj jave, pres një rezultat pozitiv. E njoh Kazakistanin, është shumë i organizuar. Kërkoj maksimumin e lojës dhe përqëndrimit. Pësuam një gol. Ishte një moment fatkeqësie për ne. Njëri nga lojtarët tanë duhej t’ia pasonte topin portierit dhe ia dha kundërshtarit. Janë gjëra që ndodhin në ndeshje dhe për këtë duhet t’i kuptojmë. Ishte gabim individual, jo kolektiv.

Sa mirë e njihni e Kazakistanin dhe cilët janë lojtarët më të rrezikshëm dhe që krijojnë probleme?
Është i organizuar. Në krah ka lojtarë të fortë dhe teknikë. Izlakan është i rrezikshëm dhe kthehet pas, përbën rrezik të vazhdueshëm. Kazakistani është konstant i qëndrueshëm. Mesfusha dhe sulmi luajnë shpejt përpara dhe vënë në rrezik të vazhdueshëm me kundërsulmet.

Pikat e dobëta të Kazakistanit?

Nuk shoh dobësi tek ata, është ekip i organizuar mirë, edhe në mbrojtje. Ka pak pika të dobëta. Janë të organizuar. Kanë 5 mbrojtësa dhe 4 mesfushorë dhe është shumë i vështirë t’i çash. Ne do të përpiqemi nga krahët dhe në sulm të shfrytëzojmë rastet tona.

Cili do të ishte rezultati i kënaqshëm?
Më intereson që të bëjmë paraqitje të mirë. Rezultati pozitiv vjen kur luan mirë. S’duhet të humbasim. Dëshira ime është të mos humbasim që të mos ndërlikojmë garën tonë dhe të mos rëndohemi psikologjikisht. Futbolli luhet për fitore, por varet dhe nga rivali që ke përballë.

Me të gjitha gjasat do të jetë Berisha ai që do të rikthehet në portën e Shqipërisë teksa thekson se Shqipëria mbetet favorite në grup por edhe kundërshtarët janë të fortë. Shtatlarti i portës e vlerësoi Kazakistanin si një skuadër të rrezikshme por për nesër kërkoi fitore nga kuqezinjtë.

 

FJALA E ETRIT BERISHËS

– Çfarë dini për ekipin kombëtar të Kazakistanit?

Nuk kam shumë informacion, por e di që ka shumë ekipe të mira në Kazakistan. Për shembull, Astana, e cila luan në Europa League. Ne jemi të përgatitur mirë për këtë ndeshje, e dimë që kundërshtari ka një sulm shumë të mirë.

– Të gjitha ekipet në grup shënuan një numër të barabartë pikësh. A është ende favorite Shqipëria?

Sipas mendimit tim, Shqipëria mbetet favoritja e grupit, por loja kundër Lituanisë tregoi se të gjithë kundërshtarët janë mjaft të fortë, kështu që ne duhet të tregojmë klasin tonë. Ne duhet të bëjmë një ndryshim në grup në ndeshjet e ardhshme.

– Ju keni pasur probleme të mbërrinit në Shqipëri nga Italia. Si arritët t’i zgjidhni?

Po, disa probleme me pandeminë e koronavirusit kanë rifilluar në Itali. Disa ekipe kishin lojtarë që ishin pozitivë dhe duhej të bënin karantinë. Unë rashë dakord me klubin për të shkuar në ekipin kombëtar për ndeshjet e ardhshme. Ekipi kishte nevojë për mua dhe mbërrita.

– A njihni ndonjë nga lojtarët e ekipit kombëtar të Kazakistanit?

Unë pashë lojtarët sulmues duke luajtur. Unë do të doja të përmend kapitenin tuaj Bauyrzhan Islamkhan, është e qartë se ai është një nga udhëheqësit. Kazakistani është shumë i rrezikshëm kur bëhet fjalë për kundërsulme. Gjithashtu lojtarë mbrojtës, kanë pasur rritje. Unë mendoj se Kazakistani ka një ekip të rrezikshëm. Ne duam të fitojmë nesër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb